Transmetuar më 20-01-2017, 12:29

Gjatë një tryeze të organizuar për reformën në drejtësi, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj shprehu shqetësimin se po ushtrohet presion ndaj institucioneve që merren me ligjin e vettingut. Deputeti socialist theksoi se po bën përpjekje për të vendosur nën kontroll procesin e kandidimit.

“Jemi të shqetësuar për disa përpjekje për ta vendosur nën kontroll procesin e kandidimit, për të ushtruar presion ndaj punës së institucioneve që merren drejtpërdrejt me vettingun, për të ushtruar presion ndaj gjyqtarëve të ndershëm që duan të kontribuojnë në këtë proces. Shohim me shqetësim disa përpjekje në sistemin e drejtësisë në prokurori dhe gjykata për ta deformuar frymën e detyrimit dhe detyrimet e normave që parashikon kushtetuta dhe ligjet e reja në këtë fazë procesi”, u shpreh Xhafaj.

 Xhafaj nënvizoi rëndësinë  e rolit që luajnë në këtë proces ndërkombëtarët, të cilët sipas tij duhet të përballen me dy sfida.“Një rol të rëndësishëm kanë ndërkombëtarët, të cilët kanë përballë dy sfida të rëndësishme. E para si garant të marrëveshjes së 21 korrikut dhe së dyti në përmbushjen e rolit kyç që ata kanë më procesin e vettingut”, deklaroi deputeti i PS- së./b.l/noa.al/