Transmetuar më 20-01-2017, 10:40

Washington, 20 janar 2017, NOA.al- Në vijim të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u takua me Presidentin e fondacionit “Heritage”, Jim DeMint.

Basha thotë se gjatë takimit u fol për reformat për çlirimin e ekonomisë shqiptare nga monopolet, oligopolet e klientelizmi dhe krijimin e një ekonomie të vërtetë tregu.

“Mora premtimin e Presidentit DeMint se në këto përpjekje do të kemi ekspertizën dhe mbështetjen e Fondacionit Heritage. Heritage është një ndër institucionet më të rëndësishme amerikane të studimit të politikave publike, i cili harton çdo vit Indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë, treguesi kryesor për matjen e lirisë ekonomike në mbi 186 vende”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.

Kreu i PD shton se ekspertiza e Heritage do të jetë një ndihmë e çmuar për Shqipërinë.

Basha ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump si President./a.y/noa.al