Transmetuar më 19-01-2017, 19:21

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar për rastin e mësueses në shkollën jopublike “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër e cila bënte deklarata propagandistike pro ISIS gjatë orëve të mësimit.

MAS e dënon më forcë rastin dhe e konsideron të papranueshëm këtë përpjekje radikale për të përhapur pikëpamje ekstremiste gjatë një ore mësimore si dhe kërkon nga organet kompetente marrjen e masave të plota për të verifikuar të gjitha rrethanat që qëndrojnë prapa tij.

Ndërsa më tej në deklaratën e saj Ministria e Arsimit sqaron se opinionet janë shprehur nga Emine Alushi gjatë një orë mësimi në vitin 2015, kohë kur ajo ka qenë aktivizuar si mësuese me kohë të pjesshme në atë institucion arsimor.

Reagimi i Ministrisë së Arsimit:

Në datën 18 Janar 2017, në emisionin televiziv “Stop” – TV Klan, u publikua një video regjistrim, përmbajtja e së cilit lidhet me deklaratat propagandistike pro ISIS,të një mësueseje, gjatë një ore mësimi, në shkollën jopublike “Haxhi Sheh Shamia” (Medreseja) – Shkodër.  Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), bazuar në të dhënat që siguroi për rastin, informon si vijon:

Opinionet janë shprehur nga znj. Emine  Alushi, gjatë një orë mësimi, në vitin 2015,  kohë kur ajo ka qenë aktivizuar si mësuese me kohë të pjesshme në atë institucion arsimor. Znj. Alushi nuk e ka ushtruar më detyrën e mësueses gjatë vitit shkollor aktual.

MAS e dënon më forcë rastin dhe e konsideron të papranueshëm këtë përpjekje radikale për të përhapur pikëpamje ekstremiste gjatë një ore mësimore si dhe kërkon nga organet kompetente marrjen e masave të plota për të verifikuar të gjitha rrethanat që qëndrojnë prapa tij. Shkollat tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten institucione që kultivojnë vlera të larta demokratike dhe atdhetare tek brezi i ri i vendit, duke refuzuar çfardo përpjekjeje për radikalizëm apo ekstremizëm.

MAS-i dhe agjencitë vartëse të saj kanë monitoruar dhe vlerësuar vijimisht procesin mësimor – edukativ dhe rezultatet e tij, në të gjitha institucionet arsimore. Ndonëse MAS e konsideron si të shkëputur rastin në fjalë, garantohet opinioni publik se do të merren hapa të plotë për të verifikuar dhe analizuar gjendjen dhe për të marrë të gjitha masat e duhura që në bashkëpunim me prindërit dhe të gjithë shoqërinë, të ruhet hapësira shkollore nga radikalizmi, dhuna dhe ekstremizmi.

***

Emine Alushi është mësuese në Medresenë e Vajzave “Haxhi Sheh Shamia” të Shkodrës. Ajo u shoqërua mbrëmë vonë në polici dhe më pas u arrestua si e dyshuar për propagandë në mbështetje të organizatës terroriste ISIS dhe ish terroristit Bin Laden.

Arrestimi i mësueses Emine Alushi ndodhi vetëm pak minuta pas publikimit në tv, të regjistrimit të një bisede, të zhvilluar mes nxënëseve dhe mësueses gjatë një ore mësimore.

Në audion e transmetuar dëgjohet se si nxënëset e pyesin mësuesen rreth ISIS dhe ajo përgjigjet se “ISIS është një organizatë myslimane që mbron popullin musliman të Sirisë, Egjiptit dhe Palestinës”. Mësuesja shprehet më tej se luftëtarët e saj “janë njerëz të mirë” dhe se “nuk duhen besuar ato që thonë lajmet”. Këmbënguljes së një nxënëseje se “ISIS ka vrarë”, mësuesja i përgjigjet se “dhe ata që kanë vrarë Bin Ladenin janë vrasës”.

Mësuesja Alushi është shoqëruar gjatë ditës së sotme për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Ndërkohë, gjatë paradites së sotme, drejtuesit dhe stafi pedagogjik i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” dolën me një deklaratë, përmes së cilës shprehën distancimin e menjëhershëm nga opinionet dhe mendimet e mësueses, të pasqyruara në tv. Ata bënë të ditur se subjekti i videos së transmetuar “nuk përbën linjën zyrtare të Medresesë” si institucion arsimor i Komitetit Mysliman Shqiptar, dhe se deklarimet e mësuese “shkojnë krejtësisht në të kundërtën e asaj çfarë ofron dhe synon kjo shkollë në procesin edukativ. Medreseja – thuhet më tej në deklaratë – është institucion i shërbimit të arsimit parauniversitar dhe vepron në bazë të legjislacionit shqiptar dhe filozofisë së Komunitetit Musliman Shqiptar”. 

Drejtuesit e Medresesë bënë të ditur se Emine Alushi këtë vit shkollor nuk është pjesë e stafit të saj pedagogjik, dhe se, në periudhën që ka punuar në Medrese, ajo ka qenë mësuese me kohë të pjesshme. /b.l/noa.al/