Transmetuar më 18-01-2017, 19:52

Gjatë vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin William Brownfield. Ndihmës Sekretari Brownfield vlerësoi miratimin e reformës kushtetuese në drejtësi me konsensus të gjerë si hap që shtron rrugën për një implementim të shpejtë dhe efikas të saj.

Z. Brownfield vlerësoi lart rolin e Kryetarit Meta për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në këtë arritje madhore për Shqipërinë. Ai konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së administratës amerikane në fazën delikatë të zbatimit të reformës për një proces të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

Ambasadori Brownfield shprehu kënaqësinë për hapat e kryera në reformën në drejtësi nga që nga takimi i fundit me z. Meta, në qershor të vitit të kaluar.  Gjatë takimit u konfirmua mbështetja për implementimin e Byrosë së Hetimit dhe SPAK-u dhe gatishmëria e SHBA-së për të monitoruar nga afër këtë proces.

Nga ana e tij Meta falënderoi Ndihmës Sekretarin, Brownfield për mbështetjen e tij, vlerësoi që Shqipëria ka hyrë në një trend pozitiv dhe shprehu gatishmërinë për të ecur shpejt në implementimin e kësaj reforme të rëndësishme.

Gjithashtu, z. Meta falënderoi z. Brownfield për rikonfirmimin e mbështetjes amerikane në zbatimin e reformës në drejtësi si dhe nënvizoi vullnetin e tij të palëkundur për rritjen e fuqisë së zbatimit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe për zbatimin me vendosmëri të dekriminalizimit./b.l/noa.al/