Transmetuar më 18-01-2017, 17:07

Vazhdon përplasja mes Erion Veliajt dhe Grida Dumës, lidhur me një udhëtim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës me një çarter drejtë Parisit. Veliaj e ka mohuar, duke thënë se ka udhëtuar me avion drejtë Milanos, për të takuar Bashkim Finon. Duma vazhdon akuzat duke nxjerr emrin e biznesmenit që sponsorizoi  udhëtimin privat të Veliajt.

“Ne e pyetëm sot në mesditë për motivin e vizitës me çarter në Paris, me datën 16 janar, dhe i kërkuam të sqaronte se kush është biznesmeni që ka paguar këtë fluturim luksoz, dhe a ka ai interesa në bash​kinë e Tiranës. Veliaj përgjigjet duke përmendur vizitën që ka bërë me 17 janar, në Itali, pra vizitën që ka bërë dje. Kështu, ai e thellon skandalin, sepse i fshihet carterit të dy ditëve më parë, nuk bën transparencë dhe mundohet të hedhë mjegull duke përmendur një fluturim tjetër, të një dite më parë”, tha Duma.

Sipas Dumës, çarterin e solli biznesmeni Artan Sheqeri dhe Veliaj ndodhej në bord së bashku me Maznikun e Dhamon. Duma deklaroi se Veliaj po e thellon më tej skandalin pasi nuk po e bën transparentë udhëtimin e dy ditëve më parë, për arsye se këtë udhëtim e ka paguar biznesmeni Artan Sheqeri, i cili sipas Dumës ka interesa të ngushta në Bashkinë Tiranës.

“Dy ditë më parë, të hënën, në orën 9 e 20 të mëngjesit është ulur në Rinas një avion çarter i kompanisë AVCON-JET. 40 minuta më pas, ky avion është rinisur për në Paris, dhe në bord ishin 3 pilotë, Erjon Veliaj, Arbër Mazniku, Juli Dhamo dhe biznesmeni që erdhi, i mori e i shoqëroi në Paris, Artan Sheqeri. Përse Erjon Veliaj e mohon këtë udhëtim? Pse fluturon me çarter për në Paris me kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter? A e pagoi biznesmeni Sheqeri këtë udhëtim? Çfarë interesash ka biznesmeni Sheqeri me bashkinë?”, shprehet Duma./b.l/noa.al/