Transmetuar më 17-01-2017, 13:59

Tiranë, 17 janar 2017, NOA.al- Dëmtohet gjatë natës rrethimi i aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas.

Gjithçka ka ndodhur natën mes të hënës dhe të martës, ku në aeroportin e Rinasit në një pjesë të caktuar është dëmtuar rrjeta e telit e rrethimit të aeroportit në disa vende.

E alarmuar për dëmtimin, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që vijon puna për riparimin e saj.

Alarmimi i policisë vjen për shkak të grabitjes së ndodhur në 30 qershor të vitit që lamë pas, dhe rrezikut për sigurinë, por edhe prej faktit se gjithçka është pikasur vetëm në mëngjes, mëson noa.al.

Grabitja spektakolare ndodhi në pistën e avionëve në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, në Rinas më 30 qershor. Tre persona të maskuar dhe të armatosur pasi prenë menteshat e portës të jashtme që ndodheshin në krahun e rrugës Rinas- Fushë Krujë hynë në rrethimin e brendshëm në aeroport duke vjedhur valutën e huaj që po transportohej me automjet drejt një avioni në aeroportin Nënë Tereza.

Shuma e grabitur shkon rreth 1 milionë euro, ndërkohë që grabitësit morën vetëm kartëmonedhat duke lënë ato prej hekuri./a.y/noa.al

Në foto, pamje nga grabitja e muajit qershor në Rinas