Transmetuar më 11-01-2017, 22:20

Nga Andi Bushati

LSI ka bërë sot një sërë propozimesh për reformën zgjedhore që në pamje të parë duken sikur shkojnë ndesh me vullnetin e socialistëve dhe të Edi Ramës. Nëse mund të përmblidhen në dy grupe të mëdha, amendamentet synojnë që të dyja të vënë në vështirësi kryeministrin.

Grupi i parë i propozimeve ngjan më shumë me shqetësimet e një partie opozitare, e cila kërkon garanci kundër vjedhjes së zgjedhjeve. Ajo kërkon dënime më të mëdha, për blerjen, fotografimin e votës dhe transferimin e votuesve, sikur organizata e drejtuar nga Meta të ketë qenë deri më tani e pa prekur nga mëkate të tilla.

Propozimi tjetër është ai i listave të hapura që i bie ndesh vullnetit të kryetarëve të partive, të cilët janë kthyer padronë të listave, që mbajnë në duar fatet politike të çdo individi. Propozimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për lista të hapura e demokratizon procesin dhe e delegon, nga duart e kryetarëve në duart e qytetarëve, fatin e të zgjedhurve të parlamentit të ardhshëm.

Nuk ka diskutim se shikuar në sipërfaqe, ato qé kérkon LSI-a janë një hap përpara për zgjedhjet dhe më pranë interesit të publikut, sesa qëndrimet e kalçifikuara të Edi Ramës.

Por, sado të bukura të jenë ato, problemi i partisë së Metës nuk qëndron tek gjërat e drejta që artikulon, por tek vendimet e shtrembra para të cilëve përkulet. LSI-a deri më tani ka propozuar gjithë ato nisma: për taksimin e reduktuar për fasonët, për miratimin nga parlamenti të koncesioneve që e kapërcejnë një mandat qeverisës, për hetim ndërkombëtar të çështjes së ÇEZ, për mosprivatizimin e laboratorëve mjeksorë, për mos përgjimin e fshehtë të politikanëve nga Sajmi Tahiri, për mos ndërtimin e parkut tek liqeni në mënyrë të dhunshme dhe për mos miratimin e planit urbanistik të Tiranës pa transparencë.

Por, në të gjitha këto raste, ajo është tërhequr në mënyrë të turpshme nga pretendimet e saj duke zgjedhur gjithmonë pushtetin para principit. E vetmja piké ku Ilir Meta po e mban premtimin është ligji i importit të plehrave, ku me sa duket, ai ka vendosur ta thyejë arrogancën e Ramës dhe t’i prishë pazaret e tij mafioze.

Por kaq është pak, vërtet shumë pak, për të krijuar, tani para zgjedhjeve, një profil të ndryshëm të Metës nga Rama. Ndaj,  mbi LSI-në po shtohen dyshimet se ajo flet sa për sy e faqe. Se ajo bën vetëm propagandë. Se ajo ndryshe artikulon dhe ndryshe sillet.

Pyetja fatale për Ilir Metën është : nëse ka pasur kaq shumë vërejtje dhe mosmarveshje, pse duhet të vazhdojë koalicionin dhe pse duhet të imagjinojë një bashkëqeverisje të re me Ramën ?

Sot,  kur shenjat janë se ripërsëritja e paktit të 1 prillit është vetëm çështje kohe, kur duket sikur LSI nuk ndalon së kënduari refrenin : « ç ‘më duhet mua se ç’kam thënë unë », të gjitha propozimet « anti Rama » e humbasin vlerën e tyre.

Këtë fat rrezikojnë të kenë edhe shumica e amendamenteve që u propozuan sot për reformën zgjedhore.

Më shumë sesa një lëvizje në interes të publikut, ato janë një përpjekje e kotë për ti hedhur hi syve atij. Një përpjekje hileqare e Metës për të bërë sikur diferencohet nga Rama, megjithëse mban në këmbë pa rezerva pushtetin e tij. (Lapsi.al)