Transmetuar më 11-01-2017, 10:00

Shijak, 11 janar 2017, NOA.al- Dy të rinjtë e arrestuar nga policia e Shijakut si të dyshuar për grabitjen me armë e maska të së paku tre karburanteve, janë rrëfyer në polici.

Klajdi Pupa 20 vjeç dhe shoku i tij Florian Thana 19 vjeç, në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe të shpallurin në kërkim Bajram Kumacaku 19 vjeç, nën kërcënimin e armëve merrnin paratë e xhiros së karburanteve.

Thana dhe Pupa u arrestuan mbrëmjen e së hënës nga policia e Shijakut, duke u zbuluar brenda 24 orëve nga grabitja e dy karburanteve në autostradën Tiranë-Durrës.

Por gjatë pyetjes në polici ata janë rrëfyer duke pranuar gjithçka, duke thënë se grabitjet i bënin pasi ishin të papunë dhe kishin nevojë për para.

Gjithashtu kanë thënë se merrnin makina me qira në mënyrë të rregullt, që të mos pikaseshin.

“Pasi përfundonim grabitjen, makinat i kthenim sërish te vendi ku i kishim marrë. Armët dhe maskat i kishim siguruar në rrugë të ndryshme. Kemi kryer disa grabitje, kryesisht karburante, pasi ato ishin të hapura gjatë orëve të natës. Rojet dhe punonjësit i dhunonim psikologjikisht nën kërcënimin e armëve. Ne nuk kishin për qëllim të dhunonim fizikisht apo qëllonim mbi punonjësit, pasi objektivi ynë ishte të merrnim paratë e xhiros ditore dhe të iknim”, kanë thënë para uniformave blu të arrestuarit.

Identifikimi i tyre u bë pas denoncimeve për grabitjeve dhe prej kamerave të sigurisë të vendosura në karburante.

Ata akuzohen se më 12 dhjetor rreth orës 02:50, nën kërcënimin e armës i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, rreth 150- 200 mijë lekë të reja.

Ndërkohë më 9 janar, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me një mjet tip "Golf".

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet tip "Volsëagen Golf 5", me të cilën autorët kryenin vjedhjet; një çantë krahu, në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë./a.y/noa.al