Transmetuar më 10-01-2017, 21:24

FIFA ka vendosur të shtojë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin botëror të futbollit, nga 32 aktualisht në 48. Ky vendim do të aplikohet duke nisur me kampionatin e vitit 2026, i cili pritet të zhvillohet në kontinentin e Amerikës së Veriut.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s mëngjesin e së martës pas votimit në Zyrih të Zvicrës.

Projekti mban firmën e kreut të ri të FIFA-s Xhani Infantino. Ai tha se ky format u jep më shumë mundësi kombëtareve për të përjetuar gëzimin e Kupës së Botës dhe pritet të forcojë futbollin dhe ta rrisë atë në vendet e vogla.

“Më shumë vende dhe rajone në të gjithë botën do të jenë më të lumtur”, deklaroi ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Infantino. Duke zbërthyer skemën, z.Infantino ka bërë të ditur se numri i takimeve të turneut më të rëndësishëm në rang kombëtaresh do të rritet nga 64 ndeshje në 80 të tilla.

Skema e Botërorit 2026 është kjo, 48 kombëtare do të jenë të vendosura në 16 grupe me nga 3 secili.

Në raundin tjetër do të kalojnë nga dy skuadra për çdo grup, e kjo nënkupton se skuadrave kombëtare i garantohen të paktën dy ndeshje në Botëror, ndërsa fituesi do të luajë 7 ndeshje.

Turneu do të përfundojë brenda 32 ditëve, një vendim i cili pritet të qetësojë klubet e mëdha evropiane, të cilët kundërshtuan fuqishëm këtë ndryshim.

Formati i ri i Kupës së Botës me 48 skuadra sjell edhe një rritje të të ardhurave financiare të saj në 5.29 miliardë paund që do të thotë një rritje e fitimeve me rreth 521 milionë paund.

Ndryshimi i fundit i formatit të kampionatit të Botërorit të futbollit ka ndodhur në vitin 1998.

Plani ishte për 40 skuadra në total, por nuk funksionon

Plani ishte për shtim të vetëm 8 skuadrave por kjo nuk funksionon. “Me 40 kombëtare nuk dalin llogaritë matematikisht. Për këtë duam të përfshijmë 48 skuadra. Ideja është se 16 skuadra do të shkojnë menjëherë në fazën e grupeve, ndërsa 32 skuadrat që mbeten do të bëjnë një tur paraeliminator, gjithnjë në vendin pritës, duke u ndeshur për 16 vendet e mbetura në një takim të drejt për drejtë”, – thotë z.Infantino.

Formati aktual përmban tetë grupe me nga katër skuadra dhe që përbëhet nga dy faza, atë të grupeve dhe atë me eliminim direkt.

Dy të parat e çdo grupi kalojnë në 1/8-at e finaleve, ku të parat përballen me të dytat dhe duke vazhduar më pas me një tabelë tenistike deri në finale.

Sipas risive që do Infantino, këto dy faza do të mbeten të njëjta, thjesht do të shtohet një fazë e re me eliminim direkt para fazës në grupe, në një farë mënyre duke ndryshuar fazën kualifikuese, por jo vetë Botërorin.

Duke luajtur një fazë para grupeve në vendin pritës, krijohet përshtypja, se faza finale e Botërorit është zgjeruar, dhe siç pohon Infantino: “Do të thotë se do të vazhdojmë me kampionatin aktual që ka 32 skuadra, por në ngjarjen festive do të shkojnë 48 skuadra”.