Transmetuar më 10-01-2017, 12:28

Shijak, 10 janar 2017, NOA.al- Dy të rinjtë që shikoni në fotografi janë autorët e dyshuar të së paku tre grabitjeve me armë e maska në autostradën Tiranë- Durrës.

Klajdi Pupa 20 vjeç dhe shoku i tij Florian Thana 19 vjeç, në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe të shpallurin në kërkim Bajram Kumacaku 19 vjeç, nën kërcënimin e armëve merrnin paratë e xhiros së karburanteve.

Thana dhe Pupa u arrestuan mbrëmjen e djeshme nga policia e Shijakut, duke u zbuluar brenda 24 orëve nga grabitja e dy karburanteve në autostradën Tiranë-Durrës.

Më konkretisht nga hetimet e kryera, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në periudha të ndryshme kohore kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, tek “Mbikalimi i Fllakës”, duke marrë shuma të ndryshme parash.

Ata akuzohen se më 12 dhjetor rreth orës 02:50, nën kërcënimin e armës i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, rreth 150- 200 mijë lekë të reja.

Ndërkohë më 9 janar, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me një mjet tip "Golf".

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet tip "Volswagen Golf 5", me të cilën autorët kryenin vjedhjet; një çantë krahu, në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë.

Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, të dyshuarit kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve./a.y/noa.al