Transmetuar më 09-01-2017, 14:30

Të eliminosh opozitën aq më tepër duke marrë parasysh se në Maqedoni ekziston një opozitë e konsoliduar etnike shqiptare thënë butë është të eliminosh parimet bazë të demokracisë liberale, kurse thënë realisht përbën sulm mbi vlerat kombëtare.

Nga Ernad Fejzullahu

Në fillim të janarit të 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, disa parti politike dhe atë: BDI, koalicioni Rilindja me Besë (Lëvizja Besa, RDK 1) si dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët (Lëvizja për Reforma PSHD, RDK 2, UNITETI ) miratuan një platformë të përbashkët duke e quajtur “Marrëveshja politike e partive politike shqiptare në Maqedoni”.

Që nga vetë emërimi i kësaj farë “marrëveshje…’ shihet manipulimi që tentohet të bëhet sepse e vërteta e plotë është se kjo “marrëveshje…” më saktë duhet të quhet ashtu edhe si është “marrëveshja e disa partive politike…”.Mos emërtimin e saktë se kjo “marrëveshje…’ është e disa subjekteve politike shqiptare këtu në Maqedoni nuk është i rastësishëm, përkundrazi që në fillim tentohet të eliminohet zëri opozitar duke re-instaluar totalitarizmin dhe marrjen e të drejtës se “ e vërteta dhe vetë kombi janë ata…’ Të eliminosh opozitën aq më tepër duke marrë parasysh se në Maqedoni ekziston një opozitë e konsoliduar etnike shqiptare thënë butë është të eliminosh parimet bazë të demokracisë liberale, kurse thënë realisht përbën sulm mbi vlerat kombëtare.

Është fakt se Partia Demokratike Shqiptare nuk është pjesë e kësaj siç e quajnë disa “akti historik të shqiptarëve” e që në të vërtetë do të jetë një parodi e radhës për shqiptarët.

Para se të analizojmë këtë, siç thuhet “marrëveshje historike..” të disa subjekteve politike shqiptare në Maqedoni ( jo të gjitha partitë !) nuk mund të kalojmë heshtazi pa përmendur se:

-më në fund e pranuan edhe këta të Bashkimit Demokratik për Integrim se qeverisja e tyre 15 vjeçare jo vetëm ka qenë një dështim por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë dëmtuar interesat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni;

-partitë e ashtuquajtura opozitare si Besa, RDK, Uniteti dhe lëvizja për reforma PSHD mund të jenë gjithçka, por jo oponencë e BDI-së, e aq më tepër parti në interes të shqiptarëve;

Këto dy të vërteta tashmë dokumentohen në të ashtuquajturën “marrëveshje…” në mes këtyre subjekteve dhe ajo që është më e rëndësishmja për politikën e mbrapshtë dhe antikombëtare të BDI-së gjatë këtyre 15 vjetëve Partia Demokratike Shqiptare nuk ka heshtur duke vënë në pah këtë politikë në dëm të shqiptarëve.

Gjithashtu është thënë se çfarë “misioni “kishin këto parti si Besa, Uniteti, RDK dhe PSHD, për të krijuar një virtualitet të rrejshëm politikë që u demaskua me këtë parodi që po luhet sot e quajtur ‘marrëveshje…”

Minimumi që duheshe të bëhet është që të thuhet se Partia Demokratike Shqiptare ka pasur dhe ka të drejtë për qëndrimet e tyre kundrejt politikës antishqiptare të BDI-së dhe këtyre partive tjera. Jo se PDSH ka nevojë për këtë, por vetëm kështu duke e mbyllur një kapitull të errët për shqiptarët gjatë këtyre viteve mund të mendojmë për mënyrë se si ta sanojmë politikisht këtë gjendje në të cilën gjendemi.

Në këtë mashtrim të radhës që po bëhet në kurriz të shqiptarëve në Maqedoni në mënyrë direket fatkeqësisht u involvuan segmente të caktuar të shtetit shqiptar.

këto segmente të caktuar të Shqipërisë, mbase i frymëzuar nga Internacionalja Socialiste me verimet e veta u bë ‘kumbar” i kësaj farse që mund të ketë pasoja të rënda politike për shqiptarët në Maqedoni.

Ekzistojnë dëshmi dhe fakte, se segmente të caktuara të një partie në Shqipëri, janë përzier në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, duke i nxitur shqiptarët të votojnë për një parti maqedonase si dhe një partie shqiptare e afërt me këtë parti maqedonase, me orientim ideologjikë si të asaj partie në Shqipëri.

Kjo është e pafalshme!

Këto segmente të caktuar të shtetit shqiptar nuk ndalet me kaq, por shkua n edhe më larg duke organizuar në Tiranë takim që ta përkujton takimet e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë me instruksione dhe vëzhgimin e rreptë të Milladinave, Mugoshave e Tempove. Ne takimin e Tiranës u benë bashkë patriot e tradhtar, të ndershëm e hajdut, islamistë e marksist-leninistë, UDBA e…

Ky ishte mesazhi i takimit që u bë në Tiranë me këto” figura” nga Maqedonia.

Në qoftë se do të ishte bërë testi anti-drogë mbase do të duhej ta merrnim më me seriozitet nënshkruesit e këtij dokumenti mirëpo pasi nuk u bë, lenë hapësirë për interpretime të ndryshme!

Disa fjalë rreth kësaj “marrëveshje…” të disa subjekteve politike shqiptare të Maqedonisë;

-ajo ka një kornizë dhe ajo është “Marrëveshja e Ohrit” dhe përfundimisht që e zhbënë tërësisht këtë farë “marrëveshje…” është respektimi në përpikëri të kushtetutës aktuale të Maqedonisë. Dihet se me këtë kushtetutë aktuale nuk mund të realizohet asnjë “shkronjë’ e lëre më diçka në favor të shqiptarëve.

-ku e latë mekanizmin e vendimmarrjes me konsensus si që është parlamenti me dy dhoma;

-krijimi i komisioneve shtese për “zhvillimin e barabartë ekonomik të rajoneve…” është mashtrimi tjetër duke mos përmendur (me vetëdije!) mekanizmat që garantojnë realizimin e kësaj të drejte edhe juridikisht- mekanizmi i vetos në ndarjen e drejtë dhe proporcionale të buxhetit;

-krijimi i “ministrisë për komunitete…”e ulë statutin politiko-formal të shqiptarëve duke i bërë ata njësojë si romët,boshnjakët,vllahët,turqit etj;

-pse nuk hetohen rastet tjera si vrasja e Harun Alisë dhe qindra vrasjeve tjera të djemve shqiptar;

-mungesa e afatizimit dhe mekanizmat në realizimin e këtyre kërkesave…

Përfundimisht, ishte edhe një tentim për mashtrim dhe përhapjen e ‘mjegullës politike” te shqiptarët e Maqedonisë, për eliminimin përfundimtar të opozitës etnike shqiptare në Maqedoni.

Si mendoni Ju, se shqiptarët në Maqedoni janë aq naiv sa të vetë mbytin vlerën themeltare të demokracisë si që është opozita etnike, në rastin konkret Partia Demokratike Shqiptare?

Zotni, kushdo qofshi Ju po ju përgjigjem me një slogan që juve ju pëlqen shumë, por në këtë rast nuk do t’ju pëlqeje edhe aq –“NO PASSARAN DRUGARI!”

Ernad Fejzullahu, ish- deputet dhe anëtar i kryesisë qendrore të Partisë Demokratike Shqiptare