Transmetuar më 08-01-2017, 17:45

Nga Spartak Ngjela

Bunkuri i Hitlerit nuk ishte një shpikje e tij, ai ishte krijimi i iluzionit se shpejt do shpiket arma çudibërëse gjermane.

Ajo ka qenë një pritje iluziore plot ankth, por në të njëjtën situatë gjendet sot korrupsioni i lartë politik dhe korrupsioni i gjyqtarëve në Shqipëri: këta presin në iluzion një “armë” çudibërëse që t’iu garantojë gjënë e vjedhur dhe të shpëtojnë nga burgu. Dhe flasin me njëri-tjetrin për presidentin e sapozgjedhur amerikan Donald Trump. Nuk ka më qesharakë sesa hajdutët e kapur nga policia!

Po pse jeni kaq të sëmurë, o të mjerë! Vërtet mendoni që një president amerikan do të bashkohet me vjedhësit shqiptarë, që këta të mbajnë miliardat e vjedhura shqiptarëve, në një kohë që provat e vjedhjes së politikanëve dhe gjyqtarëve shqiptarë janë në dorë të FBI-së amerikane?

Dhe pse duhet të ndihmojë hajdutërinë shqiptare një president amerikan i zgjedhur nga populli i vet në emër të drejtësisë amerikane? Që të bëjnë festa një grup katundarësh ish druvarë, injorantë dhe hajdutë me paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve…

Kjo me siguri që do vijë e do të quhet pritja e ankthit berishiano-metian.

Nëse pas dy muajsh humoristët shqiptarë nuk do te shkruajnë komedi për këtë pritje qesharake, sigurisht që ne do të provojmë përfundimisht se aktualisht nuk kemi humoristë.