Transmetuar më 06-01-2017, 09:19

Pas laktacionit normal të lehonës së sapo bërë nënë, është e nevojshme ndihma e personelit mjekësor në maternitet, e infermiereve të patronazhit e shtëpisë së shëndetit apo e familjarëve.

Ideale do të ishte që foshnja e sapolindur nga dita e parë të dëshirojë, të mundet dhe të dijë të zbrazë gjirin deri në pikën e fundit të qumështit, mirëpo kjo gjë në praktikë kryesisht nuk është kështu.

Dhe derisa foshnja të mos zotërojë shkathtësinë e thithjes, nëna do të detyrohet të nxisë rrjedhjen e qumështit dhe të zbrazë tepricën, gjithë sasinë që bebja nuk e ka pirë.

Dhemb pak, por është e dobishme

Gjirit bëjini masazh pjesë-pjesë me lëvizje rrethore. Gishtin e madh vendoseni mbi thimth, ndërkaq gishtin e dytë dhe të tretë 3- 4 cm nën thimth ashtu që shuplaka të formojë shkronjën C.

Gjirin shtrëngojeni në drejtim të koshit të kraharorit, pastaj lehtë tërhiqni indet në drejtim të thimthit, duke mbajtur gishtat në pozitën e njëjtë. Qumështi do të fillojë të rrjedhë.

Përsëriteni këtë veprim derisa të zbrazni gjinjtë. Gjinjtë e zbrazët janë më të butë në prekje, por nuk shkaktohen as inflamacione në kanale të qumështit, shkruan ‘Telegrafi’.

Para zbrazjes së gjinjve rekomandohet të bëni dush me ujë të ngrohtë apo t’i vini kompresa në gji në mënyrë që kanalet e qumështit të hapen. Gjirit gjithmonë i bëhet masazh i butë, por në mënyrë energjike, ndërkaq pas masazhit rekomandohet vënia e kompresave të ftohta.

Pompa për zbrazje (e dorës apo elektrike) gjithashtu mund të ndihmojnë por vetëm nëse përdoret drejt. Në të kundërtën, mund të shkaktojnë ënjtje të gjinjve apo dëmtim të thimthave.

Ditët e para pas lindjes gjinjtë duhet të zbrazen me dorë, dhe vetëm kur të forcohet laktacioni, mund të përdoren edhe pompat.