Transmetuar më 02-01-2017, 14:41

Biznesi shqiptar, me mbështetje nga autoritetet shtetërore, po përpiqet të bëjë biznes në vatra të nxehta lufte.

Një grup i gjerë biznesmenësh nga Qendra Shqiptare e Eksporteve që operojnë në fushën e eksporteve të fruta perimeve, turizmit dhe energjetikës, si dhe zyrtarë shtetërorë shqiptarë, shkuan në Ukrainë për të eksploruar mundësitë e dërgimit të mallrave prodhuar në Shqipëri.

Ata udhëtuan drejt rajonit të Donetskut, i përfshirë nga një konflikt me Rusinë. Kjo situatë lufte nuk i frenoi përfaqësuesit e biznesit shqiptar për t’u takuar në qytetin Kramatorsk me përfaqësuesit dhe anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut.  

Elvira Sevostianenko, presidente Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut, e quajti vizitën e bizneseve shqiptare në këtë rajon të trazuar, si hapin e parë të vendosjes së urave të bashkëpunimit.

“Është e nevojshme të zhvillojmë marrëdhënie direkte me prodhuesit ukrainas pasi produktet si sheqeri apo gruri mbërrijnë në Shqipëri përmes tregtarëve nga Serbia apo Greqia. Ndërsa produktet e bujqësisë shqiptare, pasi blihen nga tregtarët serb dhe maqedonas, mbërrijnë në Ukrainë. Ky është synimi jonë. Eksporte dhe Importe direkte duke shmangur palët e treta”, – thotë Alban Zusi, kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve. 

Yugen Vilinsky, zëvendësguvernator i Donekstut u shpreh se “pavarësisht situatës së luftës në këtë rajon, kjo nuk duhet të na dekurajojë në të bërit biznes. “Prandaj bashkëpunimi ekonomik për ne në situatën ku ndodhemi merr një rëndësi të dorës së parë. E mirëpresim bashkëpunimin mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut dhe Qendrës Shqiptare të Eksporteve”, – shtoi ai. Ndaj në zyrat qendrore të rajonit të Donekstut u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi. 

Ndërsa në Kiev përfaqësuesit e biznesit shqiptar zhvilluan një takim me anëtarët e  Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Ukrainës nga ku shpalosën se çfarë ofrojnë eksportet shqiptare.

“Prodhimet shqiptare tashmë janë prezente në rajon dhe ne synojmë tregje të reja, pse jo edhe në Ukrainë, vend tek i cili ne shikojmë shumë mundësi bashkëpunimi. Ndërkohë që produktet e prodhura në Ukrainë janë prezente në tregun shqiptarë, por përmes ndërmjetësve nga vende të tjera. Ne synojmë një bashkëpunim direkt mes biznesit shqiptar dhe atij ukrainas” thotë Alban Zusi, kreu i Qendrës Shqiptare të  Eksporteve.

Energjitika, shtoi Alban Zusi, është një tjetër fushë ku ne mund të bashkëpunojmë pasi ekspertiza e Ukrainës sidomos në ndërtimin e rrjeteve të gazifikimit është shumë e vlefshme.

Interesi i shfaqur ishte eksporti drejt Ukrainës i fruta-perimeve dhe gështenjës, një produkt i panjohur për tregun ukrainas.

Mykhailo Nerpan, zëvendëspresident i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë të Ukrainës tha se “ne jemi prezent në Ballkan me produktet tona” dhe shtoi se “Shqipërinë e shikojmë si një treg të ri”, duke siguruar për lidhjen e kontratave të ndërsjellta.