Transmetuar më 29-12-2016, 10:51

Eksportet në muajin nëntor rriten me 17.4 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar dhe rreth 5.4 % në krahasim me muajin tetor.

Ky tregues bëhet i ditur nga raporti i fundit i INSTAT lidhur me ecurinë e Tregtisë së Jashtme për 11 mujorin e vitit 2016.

Konkretisht në raport thuhet se eksportet e mallrave arritën vlerën 23 miliardë lekë, duke u rritur me 17,4% në krahasim me nëntor 2015. Duke krahasuar vlerën e eksporteve të muajit nëntor 2016 me një muaj më parë, tetor 2016, vihet re një rritje e tyre me 5,4%. Ndikim në rritjen vjetore të eksporteve këtë muaj e ka dhënë edhe grupi “Tekstile dhe këpucë” me +5.7 pikë përqindje.

Për sa i përket ecurisë së importeve të mallrave në muajin nëntor 2016 arritën vlerën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 0.6% në krahasim me nëntor 2015 dhe duke u rritur me 1% në krahasim me muajin tetor 2016.

Shkëmbimet tregtare me BE rikonfirmohen në rritje duke shënuar rreth 3.3% rritje për periudhën janar- nëntor 2016 krahasuar me janar-nëntor 2015.