Transmetuar më 18-12-2016, 20:14

Polemikat mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim po ndizen së tepërmi këtë dhjetor dhe duket se muaji nuk do të mbyllet pa ashpërsim të mëtejshëm të tyre.

LSI po kundërshton gjithnjë e më shumë disa plane qeveritare të kryeministrit Rama dhe ministrive që kontrollohen prej tij. Këtë, LSI po e bën në mënyrë publike dhe në rrugë zyrtare.

Njëkohësisht, PS, forca më e madhe e koalicionit qeverisës, po shpreh gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj prezencës së LSI në gjirin e saj, e shtrirë në pushtetin ekzekutiv dhe lokal si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Jozyrtarisht, larg deklaratave publike, por në takimet me bazën, PS po bëhet gjithnjë e më e hapur drejt idesë për prishje të koalicionit me LSI, bëjnë të ditur për noa.al, burime nga PS që i referohen takimeve të fundit të krerëve të saj me bazën socialiste, sidomos në zonën ku së fundi u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme.

LSI, nga ana e saj, pas kundërvënies që i bëri Ramës për rritjen e akcizën e gazit, duke kërkuar anulimin e planit, po vazhdon me refuzime të tjera.

Ditët e fundit, LSI kërkoi që të mos realizohet dhënia me koncesion e laboratorëve mjekësorë shtetërorë.

Kjo kërkesë madje shkoi deri në Parlament në votim, gjatë seancës plenare ku u miratua nen për nen dhe në tërësi Buxheti i Shtetit për vitin 2017.

Por kërkesa ra, pasi LSI nuk mori mbështetjen e PD. Kjo e fundit e braktisi sallën e Parlamentit pikërisht kur LSI po tentonte ta rrëzonte koncesionin me votat e saj dhe të opozitës.

Duket se lideri demokrat Basha, e ka kuptuar lojën e LSI që donte të përdorte votat e PD për të rritur kredon e saj në elektorat me refuzimin e koncesionit, ndaj dhe vendosi që të qëndrojë larg projekteve të LSI.

Në këto kushte, dalja e LSI nga koalicioni apo largimi i kësaj partie nga vetë PS, nuk duket më si një rrufe në qiell të pastër.

Këtë e përforcon edhe më shumë, urgjenca me të cilën këtë të diel, LSI lëshoi ankesën për ndryshimet që ajo thotë se duhen bërë në Kodin Zgjedhor.

Nënkryetari i LSI, Luan Rama doli para medias dhe tha se “reforma zgjedhore prioritet i pandryshuar”. Deklarata e Ramës vjen ndërsa pak vite më parë LSI nuk e dëshironte madje kishte deklaruar se nuk shihte asnjë arsye që të ndryshohej Kodi Zgjedhor. Një Kod që kujtojmë se erdhi më 2008 nga pakti Berisha-Rama, si përpjekje për të fuqizuar rolet e PD dhe PS dhe reduktuar fuqinë e LSI dhe partive të tjera në spektrin politik shqiptar.

Atëherë, Meta dhe eksponentë të tjerë të LSI reaguan ashpër dhe kritikuan fort planet Rama-Berisha duke u hedhur deri në grevë urie në sallën e seancave plenare të Parlamentit, grevë që dështoi.

Më 2009, LSI bëri koalicion me PD që s’kishte votat për të krijuar qeveri, ndoshta edhe si një hakmarrje e Metës ndaj Ramës për paktin “famëkeq” me Berishën që godiste LSI e cila nuk mori me këtë kod më shumë se 4 mandate në Parlamentin me 140 deputetë.

Katër vitet e qeverisjes me PD, e stërvitën mirë LSI e cila vendosi t’i falë Ramës edhe 21 Janarin 2011 që erdhi si demonstratë e PS kundër Ilir Metës që u akuzua për aferë korruptive 700 mijë euro përmes një videofilmimi që më tej nga gjykata u rrëzua si i paligjshëm.

Më 1 prill 2013, Meta, i cili si duket kishte studiuar mirë pasojat e Kodit dhe kishte kuptuar pamundësinë e prezencës në Kuvend me më shumë se 4-5 deputetë nëse shkon pa koalicion, vendosi të pajtohet me realitetin. Ai pranoi të bashkohej me PS duke dalë nga koalicioni me Berishën, pasi partia e Ramës ishte shumë e qartë se pa LSI nuk mund të vinte në pushtet. Më 2013 e majta korri fitore dhe shumë vota të PD firuan drejt LSI e cila mblodhi 16 mandate si parti, të paktën 3-4 në listat e PS dhe më tej vijoi me sezone blerjesh duke arritur në 22 mandate që ka aktualisht.

Pasi kanë kaluar mbi tre vjet e gjysmë, duket se gjërat kanë ndryshuar.

LSI është duke u përpjekur të ketë situatën nën kontroll kundrejt çdo skenari të mundshëm. Të gjitha kartat janë në tavolinë: Vazhdim me PS, që duket gjithnjë e më shumë i pamundur, rikthim te PD, krijim të një poli të tretë dhe ridalje e vetme, që do ta ulte tmerrësisht shumë numrin e deputetëve të LSI për shkak të Kodit.

Ndryshimet që Rama theksoi fort në takimin e sotëm me mediat, duket se janë të përqendruara edhe te ky drejtim. LSI po përpiqet të riparojë problemet që hapi më 2008 pakti Rama-Berisha, i cili i dha efektet negative kur kjo parti doli e vetme më 2009 dhe rrezikon sërish të rikthehet në rrethanat e atëhershme.

Luan Rama fshikulloi sot PS dhe PD, kur tha se ky është testi i radhës dhe shtoi: “Ky është testi i radhës për angazhimin real, për vullnetin real dhe për kontributin real të faktorëve politikë për të bërë të mundur që të dëshmojnë se atë çfarë kanë thënë për reformën zgjedhore nuk e kanë patur dhe nuk e kanë demagogji, por të dëshmojnë që e kanë angazhim real dhe përgjegjësi reale që duhet përmbushur”.

Deklarata e Ramës solli reagim të ashpër nga PS e cila duket se po del haptazi kundër LSI.

Taulant Balla, praktikisht numri 2 i PS, e fshikulloi fort Ramën e LSI sot madje dhe kërcënoi, kur tha se “i them mikut tim Luan Rama që barazlargimi i tij, duke fajësuar po njësoj edhe PS edhe PD për Reformën Zgjedhore është i padrejtë, për të mos thënë me shumë!”

“Luan Rama, – von z.Balla deklaratën që padyshim nuk doli pa pëlqimin e Edi Ramës, – duhet ta dijë se PS dhe LSI janë bashkë në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe kanë qëndrime plotësisht të dakordësuara mbi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Po ashtu Luan Rama me siguri e di që kemi një muaj që presim që PD të bëhet pjesë konstruktive e punës së komisionit për ta mbyllur reformën. Prandaj Luan Rama le t’i bëjë thirrje PD siç i bëjmë edhe ne po ashtu, sepse roli i dyfishtë i skuadrës dhe arbitrit nuk ka më asnjë kuptim!”, – fshikullon më tej Balla, nënkryetarin e LSI

“PS dhe LSI kanë bërë një punë shumë serioze në komision dhe respekti për këtë skuadër është minimumi që duhet të tregojë miku Luan Rama pavarësisht se mund t’i ketë rënë të bëjë pjesën e arbitrit!”

Qëndrimi i mësipërm i Ballës tregon as më pak dhe as më shumë, krizën që janë futur PS dhe LSI, një krizë që mund të çojë deri në shpërbërjen ndoshta brenda dhjetorit, të koalicionit qeverisës. Një shpërbërje e cila në qarqet socialiste po diskutohet shumë, sidomos në takimet që liderët e PS dhe qeverisë kanë bërë së fundi me bazën e cila në një pjesë të mirë të saj, e sheh largimin e LSI nga koalicioni si një çlirim për PS. E në një rast të tillë, Edi Rama duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Nëse zgjedh të dalë e vetme ose me partitë e vogla që ka përreth, shanset për të fituar më 18 qershor 2017 janë në pikëpyetje serioze, ashtu si fitorja e ngushtë dhe shumë e diskutueshme e Gruevskit në Maqedoni.

Pas dhjetorit që mbyll vitin 2016, përpara janë maji dhe qershori i 2017-ës. I pari vendos për Presidentin e ri të Republikës dhe i dyti, për pushtetin e ri ekzekutiv në vend. Se çfarë do të ndodhë, varet shumë nga dhjetori. /noa.al/