Transmetuar më 12-12-2016, 19:22

Vrasja që ndodhi në Ksamil, është shoqëruar me një varg veprimesh policore në përpjekje për të shtënë në duar autorët e krimit.

Sipas grupit hetimor, autorët e vrasjes kanë qëlluar nga rrethimi i shtëpisë fqinje e cila aktualisht është e pabanuar.

Banesa e viktimës, ndodhet në një zonë të veçuar të Ksamilit, ndaj autorët e kanë pasur të lehtë shënjestrën. Autorët, menjëherë pas vrasjes dyshohet se janë larguar me varkë nëpërmjet Liqenit të Butrintit.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se viktima fillimisht ka mbetur i plagosur para shkallëve të banesës dhe ka tentuar që të futet në shtëpi por autorët e kanë qëlluar sërish duke e lënë të vdekur në verandën e banesës.

Agron Xhezairi u vra në sy të vajzës së tij të mitur

Agron Xhezairi 53-vjeç, është babai i të shumëkërkuarit Albi Xhezairi, 20-vjeç, i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit në Shendelli. Në 30 tetor Agron Xhezairit iu vendos bombë me telekomandë në makine por nuk shpërtheu.

Këtë të diel 11 dhjetor 2016, sapo kishte rënë errësira, atij i është bërë atentat, duke e qëlluar me armë automatike në pragun e shtëpisë.

Dëshmitare e ngjarjes ishte vajza e tij e mitur e cila ka parë skenën e vrasjes duke u përballur me çastet e tmerrshme.

Autori ka qenë i fshehur vetëm 3 metra më tej dhe në kohën që viktima ka dalë të lëshonte qenin, drejt tij është qëlluar me armë. Agron Xhezairi ka tentuar të ngjitë shkallët për t’u futur në banesë, por autori ka qëlluar edhe disa herë të tjera duke e lënë të vdekur në vend në verandën e shtëpisë.

Kanuni zbret në Ksamil?

Sipas policisë së Sarandës, po hetohet zyrtarisht pista e gjakmarrjes, duke marrë parasysh dinamikën e kryerjes së krimit.

Dhjetëra forca të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mësyrë në orët e para të ditës së hënë drejt Ksamilit dhe Shëndëllisë. Disa persona janë shoqëruar për vrasjen e 53 vjeçarit Agron Xhezairi në Ksamil.

Për policinë, pista kryesore e vrasjes së Agron Xhezairit mbetet ajo e gjakmarrjes, pasi djali i tij 20 vjeçar Albi Xhezairi, i shpallur në kërkim, është i dyshuari kryesor për vrasjen e Aleksandër Bardhit në fshatin Shëndelli, ngjarje e ndodhur më 25 shtator.

Deri tani 10 persona janë shoqëruar për vrasjen e 53-vjeçarit Agron Xhezairi në Ksamil, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme. /Limos Didani-Sarandaweb/