Transmetuar më 12-12-2016, 17:53

Tiranë, 12 dhjetor 2016, NOA.al –  Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë gjetur sot konsensusin për të taksuar qytetarët që përdorin automjete me gaz.

Me kërkesë të deputetëve të LSI-së, taksa e re e miratuar sot në Komisionin e Ekonomisë nuk do të jetë 13 lekë për litër, siç kërkonte qeveria, por është ulur në 8 lekë për litër.

Më herët LSI pati kërkuar anulimin e kësaj takse, por pas konsultimeve mes grupeve parlamentare dhe qeverisë u pranua propozimi i deputetit socialist Anastas Angjeli për vendosjen e një takse 8 lekë për litër. Nga ana e saj PD nuk votoi taksën e re, me pretendimin se ajo rëndon qytetarët.

"Shpreh zhgënjimin që kam me kolegët e grupit të LSI që tolerojnë. Atë që e nisin si qëndrim parimor e përfundojnë në një garë për rritjen e çmimit me kaq apo me aq. Shpresoj të mos mbajnë të njëjtin qëndrim edhe me plehrat", u shpreh Edmond Spaho.