Transmetuar më 12-12-2016, 16:46

Kompanitë call centër me pronarë shtetas italianë, individë privatë ose grup individësh privatë nuk rrezikojnë të mbyllen në Shqipëri. Kurse kompanitë shtetërore ose pjesërisht shtetërore call center, do të duhet të zhvendosin shërbimet e tyre në vende të tjera, brenda BE.

Kjo tashmë është e qartë për publikun shqiptar dhe sidomos për afro 30 mijë të rinj e të reja që punojnë në një mori call center që janë hapur në vend.

Këto call center, komunikojnë me shtetasit italianë, duke mos treguar se nga ku janë duke folur me ta dhe duke u krijuar perceptimin e gabuar se janë duke folur brenda vendit, në sajë të teknologjisë që arrin të manipulojë numrat thirrës.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, foli sot nga Shkodra lidhur me fatin e call center në vendin tonë. Ai tha se kompanitë “call center” me pronarë italianë që operojnë në Shqipëri nuk rrezikojnë të mbyllen, por do të funksionojnë nën rregulla të reja.

“Ligji nuk pengon vijueshmërinë e aktivitetin por do të jenë rregulla të reja por besoj se po të respektohen nga të gjithë operatorët seriozë, nuk shoh humbje të vendeve të punës në Shqipëri”, – tha ambasadori italian Cutillo.

Gjithashtu edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik Milva Ekonomi në Shqipëri tha se punojnë 804 kompani të cilat që kanë rreth 25 500 të punësuar, nga këto më shumë se 95 % japin shërbim të outbound-it të cilët nuk do të preken nga këto ndryshime ligjore që po ndodhin në Itali.

Ndërkohë që 5 përqindësh që preket ka kohë mjaftueshëm për t’u ristrukturuar dhe për të mos u mbyllur edhe pas nisjes së zbatimit të ligjit, – tha Ekonomi. Ligji i ri parashikon edhe shmangien e telefonatave “shqetësuese” ose atyre që njihen si “telemarketing-u i egër”.