Transmetuar më 10-12-2016, 21:01

Për herë të parë pas më shumë se 20 vjetësh, më 2017, Parlamenti shqiptar do të ketë shumë më tepër se 140 deputetë.

Kjo do të vijë për shkak se zgjedhjet parlamentare janë fiksuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017, kurse ceremonia për zgjedhjen e Presidentit të ri do të jetë më 24 korrik 2017.

Për shkak se Parlamenti i ri legjitimohet jo më herët se mesi i shtatorit 2017, në seancën plenare të 24 korrikut në Parlament, do të shkojnë 140 deputetët e zgjedhur më 2013, ndërkohë që 140 të tjerë do të jenë zgjedhur nga votat e 18 qershorit.

Ky precedent ndodh për herë të parë në Shqipëri, pasi Parlamenti aktual ka detyrimin kushtetues për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës, pavarësisht se viti i ardhshëm është një vit zgjedhor.

Juristi Çlirim Gjata evidenton faktin se Kushtetuta i ka parashikuar qartë afatet dhe deputetët duhet të zgjedhin kreun e ri të shtetit, para se Kuvendi i legjislaturës aktuale 2013-2017 të shpërndahet, përmes një votimi që mund të zhvillohet në një ose disa raunde. 

Sipas Kushtetutës, Presidenti i ri merr detyrën jo më parë se 24 korriku, data që shënon përfundimin e mandatit të presidentit aktual Bujar Nishani.

Në leximin që konstitucionalisti Çlirim Gjata i bën Kushtetutës, pohon se i takon këtij Parlamenti të thirret në seancë plenare për ceremoninë e ligjërimit të Presidentit të ri të votuar nga deputetët. Ndaj për herë të parë krijohet situata kur deputetëve që nuk do të jenë më në legjislaturën 2017-2021 që del nga zgjedhjet e 18 qershorit, do të shkojnë edhe një herë më 24 korrik, plot një muaj e një javë pas zgjedhjeve, kur ndërkohë janë zgjedhur 140 deputetët e rinj.

Në këtë mënyrë, nga 19 qershori e deri më 14 korrik, Shqipëria do të ketë 280 deputetë të ligjshëm: 140 të zgjedhur më 2013 dhe 140 të tjerë të sapozgjedhur për katër vitet e ardhshme. /noa.al/