Transmetuar më 10-12-2016, 18:10

Një ëndërr bëhet realitet. Në sajë të një bashkëpunimi që kurorëzohet pas një përpjekjeje jo të vogël, në 2 janar vjen në Tiranë, të nesërmen e Vjenës, një koncert i jashtëzakonshëm.

Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama duke paralajmëruar përmes rrjeteve sociale se më 2 janar do të zhvillohet Koncerti i Vienës në Tiranë.

Ai thotë se për t’ia dalë kësaj, ka punuar fort ai dhe stafi i tij, së bashku me Shkëlzen Dollin.

Duke theksuar se kjo është një ëndërr që pritet të bëhet realitet, z.Rama nuk jep detaje të tjera lidhur me këtë event të rëndësishëm të muzikës serioze.

Koncerti i Vjenës është evenimenti i muzikës serioze më i famshëm në botë. Ai zhvillohet vetëm një herë në vit, më 1 janar ora 12.00 në Vjenë dhe transmetohet thuajse nga të gjitha rrjetet radiotelevizive shtetërore të botës.

Filarmonia e Vjenës jep koncerte në kuadrin e "Javëve të Filarmonisë së Vjenës" që prej vitit 1989 në Nju-Jork dhe 1993 në Japoni. Po ashtu orkestra e Filarmonisë së Vjenës jep edhe koncerte verore në kështjellën Schönbrunn, që ndiqen nga rreth 100.000 vizitorë.

Në vitin 2005 Filarmonia e Vjenës u shpall ambasadore nderi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në vitin 2014 orkestra u nderua me dy çmime të rëndësishme: çmimin suedez Birgit Nilsson (me një milion dollarë çmimi më i lartë për muzikën klasike) dhe me çmimin Herbert von Karajan, i cili ka qenë për 50 vjet dirigjent i saj.

Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë, ngjarja më e suksesshme e muzikës klasike në botë

Muzika e Johan Shtrausit në Koncertin e Vitit të Ri në Vjenë, tregon se lëmë pas edhe një vit tjetër.

Kush dëshiron që ta ndjekë koncertin në sallë duhet të jetë me fat, sepse për shkak të kërkesës së lartë, biletat ndahen me short.

Për më shumë se 170 vjet, tingujt e orkestrës së Vjenës dëshmojnë cilësi të rangut të lartë. Origjina e orkestrës së Vjenës lidhet me Operën e Oborit, muzikantët e së cilës si Mozarti apo Beethoveni angazhoheshin herë pas here për koncertet e "Akademisë". Me kalimin e kohës lindi nevoja për një orkestër të pavarur të specializuar përkrah asaj të Operës së Oborrit.

Në vitin 1841 kompozitori dhe dirigjenti Otto Nikolai themeloi ansamblin që më vonë do të fitonte famë botërore si Filarmonia e Vjenës. Deri sot anëtarët e Filarmonisë së Vjenës duhet të angazhohen për të luajtur edhe në orkestrën e Operës Shtetërore të Vjenës.

Në historinë e saj më shumë se 170-vjeçare Filarmonia e Vjenës ka dhënë rreth 7.000 koncerte dhe është vlerësuar e nderuar nga shumë kompozitorë. Richard Wagner e quante atë si "një nga më të shquarat në botë," Anton Bruckner e ka quajtur "shoqata më e lartë e artit në muzikë", Johannes Brahms e quante veten si "mik dhe admirues" të Filarmonisë.

Sekreti i suksesit

Që nga fillimet e saj Filarmonia e Vjenës është një orkestër e vetëadministruar. "Hyrja në orkestrën e Filarmonisë kalon përmes Operas Shtetërore të Vjenës," sqaron oboisti Wolfgang Plank procedurën e pranimit.

Muzikantët e rinj fillojnë një herë atje dhe nëse kalojnë periudhën trevjeçare të provës, inkuadrohen gradualisht në orkestrën e Filarmonisë. Raporti mes punës në orkestrën e operës dhe atë të filarmonisë varet nga kërkesat përkatëse, por për shumicën e muzikantëve raporti duhet të jetë 50 me 50.