Transmetuar më 10-12-2016, 09:15

Bari, 10 dhjetor 2016, NOA.al – Plot 1.5 ton marijuanë janë sekuestruar në Bari të Italisë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 skafistë shqiptarë. Mësohet se droga u kap në një gomone disa metra larg brigjeve të Barit.

Sipas medieve italiane në bordin e gomones ishin edhe 3 trafikantë shqiptarë dhe marijuana, e cila ishte e ndarë në 78 paketa të madhësive të ndryshme. Tre shqiptarët e vënë në pranga nuk janë identifikuar, ndërsa mosha e tyre është përkatësisht, 34, 26 dhe 42 vjeç.

Mediat italiane raportojnë se operacioni u krye nga Guardia di Finanzia ndërsa në aksion mori pjesë edhe një helikopter i Agjencisë Europiane, Frontex. Mësohet se gomonia kishte një gjatësi prej 10 metrash, me dy motorë me nga 350 kuaj fuqi secili.

Nga informacionet e marra në pikën e kontrollit në Portin e Durrësit, është raportuar prania e një mjeti lundrues të dyshimtë, e cila ishte drejtuar për në bregdetin italian. Menjëherë pas kësaj është bërë i mundur edhe përfundimi me suksese i operacionit.