Transmetuar më 09-12-2016, 13:43

Tiranë, 9 dhjetor 2016, NOA.al- Nga forumi ekonomik Poloni- Shqipëri, i cili po zhvillohet ditën e sotme në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ftoi biznesin polak që të shtojë investimet në vendin tonë.

Ai tha se Shqipëria është një vend që ka një diell bujar dhe është një vend që mund të ketë shumë gjera që janë ende për të rregulluar, por ka një gjë që është e siguritë, “Në Shqipëri nuk mërzitesh kurrë, gjë që nuk mund të thuhet për Poloninë apo për vende të tjerë të BE, mbase kur të bëhemi anëtarë të BE do të bëhemi dhe ne të mërzitshëm, por për momentin duhet shfrytëzuar ky fakt. Jemi një vend që ka shumë gjera që duhet të bëhet më mirë, por një gjë është e sigurt në Shqipëri nuk mërzitesh kurrë. Nuk ka një njeri që të vijë të njohë Shqipërinë dhe më pas të largohet”.

Ai tha më tej se po shihen shenja inkurajuese për transformimin e ekonomisë.

Sipas tij, Shqipëria ka qenë një destinacion tërheqës për turistët dhe ajo po zbulohet si e tillë dhe se është një atraksion real i ri në Mesdhe dhe se nuk është një destinacion i eksploruar gjerësisht më parë.

Rama shtoi se potenciali i zhvillimit turistik të Shqipërisë është gjerësisht për tu shfrytëzuar dhe se turizmi nuk është e vetmja fushë, pasi ne jemi një vend me potencial hidro-energjetike.

“Në këtë fushë është bërë një progres i konsiderueshëm, siç është edhe gazsjellësi TAP. Por, pa harruar edhe faktin se Shqipëria është një vend i pasur me naftë, ndaj edhe në këtë sektor ne kemi parë zhvillime të rëndësishme dhe prezencë investitorësh. Mjafton t’ju sjell si shembull faktin se kompania Shell ka mbyllur pjesën më të madhe të programeve të veta, programet e saj në Shqipëri nuk janë mbyllur”, deklaroi Rama./a.y/noa.al