Transmetuar më 06-12-2016, 15:56

Tiranë, 6 dhjetor 2016, NOA.al – Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi mori pjesë sot Forumin Koordinues “Rrjeti i Zonave të Mbrojtura:  Modeli i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm, hapat e mëtejshëm për një menaxhim më të mirë”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Në këtë takim u paraqitën arritjet e deritanishme në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të dhënat e vitit që po mbyllet regjistrojnë trefishim të numrit të turistëve në Zonat e Mbrojtura, nga 400 mijë vizitorë në 2015, në mbi 1.56 milionë në 2016. Një tjetër arritje gjatë këtij viti është realizimi për herë të parë me standarde i inventarizimit të florës dhe faunës së egër në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, gjatë vitit 2016 janë investuar rreth 6 milionë euro (nga qeveria dhe nga donator të huaj në vendin tonë) ndërsa vitin e ardhshëm do të vijojnë investime dhe deri më tani janë parashikuar rreth 3 milionë euro.

Në forum u prezantuan disa nga investimet e fundit, brenda zonave të mbrojtura, si dhe u theksuan sfidat e së ardhmes brenda zonave të mbrojtura me qëllim trajtimin e rrjetit të zonave të mbrojtura si një model i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë forum Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se zonat e mbrojtura nuk duhet të trajtohen thjesht si zona të rrethuara dhe të veçuara, por të shihen në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik.