Transmetuar më 05-12-2016, 09:49

Gratë e lagjes në Fier kur një burrë hodhi gruan nga kati katërt ndjehen të penduara që nuk mundën ta shpëtojnë. Ato panë gjithë skenën e frikshme që i mori jetën gruas e cila kishte një urdhër mbrojtjeje.

Nuk arritën ta shpëtonin as dëshmitarët që u mblodhën poshtë pallatit dhe as urdhri i mbrojtjes që kishte nxjerre policia një muaj më parë.

Vrasja e Liljana Rukos mund të ishte shmangur nëse nuk do të vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin pasi e kishte denoncuar në polici për dhunë ndaj saj. Ndërsa banorët mund ta shpëtonin vetëm po të reagonin shpejt, transmeton ‘Abc’.

Përpjekjet e viktimës për tu mbajtur nga njëra anë dhe mllefi i autorit për ta shtyrë nga ana tjetër zgjatën të paktë 3 minuta.

52- vjeçari Ferdinand Ruko ka rrëfyer motivin e krimit të rëndë. Fillimisht ai tha se shkak ishte bërë xhelozia për bashkëshorten por më pas e ndryshoi këtë deklaratë duke shpjeguar se shkak për sherrin që e çoi në vrasjen e gruas ishte bërë denoncimi i saj në polici për dhunë nga bashkëshorti.

Policia e Fierit konfirmoi se një muaj më parë kur sapo ishin kthyer nga Gjermania bashkëshortët Ruko janë grindur për probleme ekonomike. 52- vjeçari e ka goditur gruan dhe kjo e ka denoncuar në polici. Nga ky denoncim 43- vjeçarja kishte marrë urdhër mbrojtjeje megjithëse vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin. Ferdinand Ruko ishte proceduar penalisht dhe Gjykata e Fierit kishte nisur procesin gjyqësor ndaj tij për dhunë në familje.