Transmetuar më 08-11-2016, 18:34
Djaloshi shqiptar nga Kosova, Astrit Dehari po prehet pranë varrit të vëllait të tij, Arbnor Deharit, i cili u vetëvra para dy viteve. Në ceremoninë e varrimit të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes "Vetëvendosje" morën pjesë sot me qindra qytetarë.

Kreu i bashkisë së Prishtinës Shpend Ahmeti nën lot ka mbajtur një fjalë rasti në ceremoninë e varrimit të aktivistit të VV-së Astrit Deharit.

“Sot jemi mbledhur që ta përcjellim Astritin, së bashku. Jemi të pikëlluar që e humbëm, por jemi të gëzuar që e patëm. Astrit... fli i qetë. Nuk do të ndalemi deri sa ta çojmë drejtësinë në fund, t’i gjejmë fajtorët dhe ta ndjekim drejtësinë deri në fund”, ka thënë Ahmeti.

Astrit Dehari po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në gusht të këtij viti.

Themeluesi i VV, Albin Kurti, vdekjen e Deharit e ka cilësuar si vrasje.

“Dështimi i procesit kundër gjashtë aktivistëve të akuzuar për terrorizëm, e solli në një panik të paparë regjimin në fuqi dhje kjo rezultoi me këso vdekjesh në burg. Ajo që u cilësua në fillim si vetëvrasje e përsosur, doli të jetë vrasje e papërsosur”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje sakaq mbajti sot një mbledhje përkujtimore kushtuar aktivistit të saj, Astrit Dehari. I riu vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se i ndjeri Dehari ishte arrestuar dhe paraburgosur përmes rastit të montuar. Lidhur me vdekjen e tij, Ymeri tha se drejtësia duhet të sillet në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet shtetërore.

“Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta sjellë drejtësinë në vend edhe për Astritin, e veçanërisht për Astritin. Nuk do të pajtohemi kurrë. Regjimi i instaluar në Kosovë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit dhe për këtë do të përgjigjen. Drejtësia do të vendoset. Këtë drejtësi e kërkon Astriti. Në këtë drejtësi insistojmë edhe ne”, ka thënë Ymeri.

Të pranishëm në përkujtimore ishin edhe familjarët e Astrit Deharit.

Avni Dehari, babai i të ndjerit Astrit Dehari, ka kërkuar që të sqarohen rrethanat e vdekjes së Astritit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që të bën që të mos jesh më fizikisht në mesin tonë, deshën të ta bëjnë vdekjen të heshtur. Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut, si etër, u përhap nëpër të gjithë Kosovën, nëpër të gjitha viset shqiptare”, ka thënë Avni Dehari.

***

Astrit Dehari ndërroi jetë të shtunën në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij do t'i bëjë të ditur raporti përfundimtar i autopsisë që iu bë dje trupit të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Gjatë ditës së hënë, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të zhvillohet ekspertizë e pavarur për sqarimin e rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit.

Në anën tjetër, familja Dehari kishte ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, dhe ka kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, gjatë ditës së hënë, një ekip ku ishin të pranishëm dhe mjekë ligjorë të angazhuar nga familja e të ndjerit, ka bërë autopsinë e kufomës së Deharit.

Rezultatet e para, preliminare të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, flasin për mundësinë që Dehari të ketë vdekur nga pengesat në organet e frymëmarrjes.

Pas përfundimit të autopsisë, duke u bazuar në rezultatet preliminare dhe jo përfundimtare, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se “vdekja është shkaktuar nga asfiksia, zënia e rrugëve të frymëmarrjes”.

Sipas tij, Prokuroria në Prizren tashmë ka nisur hetimet rreth kësaj vdekjeje, por deri më tash, nuk ka të dyshuar.

VIDEO: Fjala prekëse e babait: