Transmetuar më 03-11-2016, 02:03

Mund të jetë një planet-oqean, i mbuluar tërësisht me ujë, dhe mund të ketë përmasa të ngjashme me Tokën, një botë që ka mundësi shumë të mëdha që të presë jetën dhe që rrotullohet në një orbitë në yllin më të afërt nga Toka, Proxima Centauri.

Këtë e tregon identikiti i tij që është publikuar në revistën “Astrophysical Journal Letters”, nga një grup ndërkombëtar i drejtuar nga Laboratori i Astrofisikës i Marsejës në Francë.

Duke u bazuar në analizat e vëzhgimeve të mëparshme dhe në një simulim, studimi tregon se planeti, që quhet Proxima B, duket se ka një masë 1,3 herë më të madhe se ajo e Tokës dhe rrezja është nga 5.990 deri në 8.920 kilometra.

Planeti duket se është shumë afër yllit të vet, mendohet se ka një largësi dhjetë herë më të vogël në krahasim me atë që ndan Mërkurin nga Dielli.

Por afërsia e ngushtë nga ylli i vet nuk sjell temperaturë të lartë në sipërfaqe pasi Proxsima Centauri është më i vogël se Dielli, një mijë herë më pak i ndritshëm dhe me një rreze dhjetë herë më të vogël sesa ajo e yllit tonë.

Proxima B duket se ndodhet pikërisht në të ashtuquajturën zonë të banueshme të yllit të vet, ku temperaturat janë të buta dhe kushtet për të patur ujë në gjendje të lëngët në sipërfaqe.

Simulimet në kompjuter tregojnë se uji mund të mbulojë tërësisht planetin, duke formuar një oqean të vetëm të thellë rreth 200 kilometra dhe me një përbërje të ngjashme me atë të oqeaneve të mbuluar të disa hënave të akullta të Jupiterit dhe Saturnit.

Planeti mund të jetë i formuar për 50% nga uji dhe 50% nga shkëmbinj, me një zemër prej metali të fortë të ngjashëm me atë të Mërkurit. Kufiri ndërmjet bërthamës metalike dhe mantelit shkëmbor (të formuar nga silikate) duhet të jetë në 1.500 kilometra thellësi. Sipas kërkuesve, planeti mund të ketë edhe një atmosferë të hollë me gaz, si Toka, dhe ky, së bashku me ujin, e bëjnë planetin Proxima B shumë të mundshëm për të qenë i banuar.