Transmetuar më 02-11-2016, 22:30
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, thotë se aktualisht nuk është duke kërkuar një aleancë me liderin e LSI, Ilir Meta, pasi ka prioritete të tjera.

Në një bashkëbisedim me gazetarë që e gjeni të plotë më poshtë, z.Basha tha se koalicionet elektorale janë një çështje tjetër, duke i mëshuar fort planit opozitar për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme verën e ardhshme.

“Në një betejë ekzistenciale me krimin e veshur me pushtet, për një qëllim madhor kombëtar, siç është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është i thirrur kushdo qytetar dhe faktor politik, i cili nuk është pjesë e krimit, nuk është pjesë e drogës, nuk është pjesë e vullnetit për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve. Sa i përket koalicioneve elektorale, ky është një diskutim krejt tjetër i cili nuk mund e nuk do të eklipsojë vendimin tonë për të ndërtuar aleancën më të madhe të mundshme për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe adresim të plotë sipas ligjit të problemit të rëndë të krimit dhe sigurisë kombëtare, që është kthimi i Shqipërisë në një hambar droge”.

Jeni të gatshëm për bashkëpunim me LSI, z.Basha për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?

Basha: Shiko, këtu ka një interes të madh nuk arrij ta ndaj sa është gazetaresk dhe sa është tabloid. Se shikoj që ka keqinterpretime të deklaratave të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lartë të PD. Në një betejë ekzistenciale me krimin e veshur me pushtet, për një qëllim madhor kombëtar, siç është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është i thirrur kushdo qytetar dhe faktor politik, i cili nuk është pjesë e krimit, nuk është pjesë e drogës, nuk është pjesë e vullnetit për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve.

Kjo nuk është një betejë për PD, kjo është një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe në fakt ky është edhe kufiri që ndan bardh e zi dy lloj forcash politike dhe qytetarët shqiptarë, por shumica dërrmuese janë në anën e bardhë të këtij kufiri. Kush e konsideron veten pjesë të krimit dhe mbështetet tek krimi dhe tek droga në zgjedhjet e ardhshme, për të prishur zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojë në atë të kufirit, në anën e zezë dhe do të përballet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që janë në anën tjetër, me ne, Partinë Demokratike dhe aleancën tonë.

Sa i përket koalicioneve elektorale, ky është një diskutim krejt tjetër i cili nuk mund e nuk do të eklipsojë vendimin tonë për të ndërtuar aleancën më të madhe të mundshme për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe adresim të plotë sipas ligjit të problemit të rëndë të krimit dhe sigurisë kombëtare, që është kthimi i Shqipërisë në një hambar droge.

Pra, jeni të hapur?

Basha: E keni të plotë idenë, se ky nuk është kuiz po apo jo?! Kur vjen puna për një aleancë kundër drogës, krimit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe çdo deputet socialist që ka guximin ta thotë publikisht atë që mendon privatisht është i mirëpritur në këtë betejë. Koalicionet elektorale janë një çështje tjetër.

Z.Basha si shkoi mbledhja e grupit dhe a keni një vendim për seancën nesër?

Basha: Në qendër të vëmendjes të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në diskutimin e sotëm, sikundër në qendër të vëmendjes të opinionit publik, të opozitës, të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të ishte asgjë tjetër përveçse rrezikimit të demokracisë dhe të stabilitetit në Shqipëri, të zgjedhjeve, të rendit dhe të sigurisë nga karteli i drogës i bërë njësh me Edi Ramën. Ndërkohë që mediat më prestigjioze të botës, institucionet e sigurisë dhe të ligjzbatimit në nivel europian dhe në nivel kombëtar të vendeve fqinje dhe jo vetëm, mediat shqiptare, opozita shqiptare dhe qytetarët shqiptarë ngrenë alarmin e madh për shndërrimin e Shqipërisë në një narko-republikë dhe çdo javë falë përpjekjeve, jo të qeverisë shqiptare, por të institucioneve të tjera të ligjzbatimit dhe partnerëve, kapen mesatarisht 5 tonë drogë, Edi Rama iu përgjigjet duke bërë avokatinë e drogës diku duke justifikuar, diku duke u përpjekur të zbehë apo ulë shifrat e drogës së kapur.

Si ka mundësi që Edi Rama, kryeministri i vendit, në vend që të ishte më i shqetësuari për situatën e drogës, çdo ditë përpiqet të mohojë apo të zbehë shqetësimin më të madh që ka sot Shqipëria, shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë?! Përgjigja për ne është fare e thjeshtë. Sepse për ne, Edi Rama nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit, madje është vetë problemi. Dhe këtu nuk e kam fjalën si konsumator apo i dashuruar me drogën, po e kam fjalën si njeriu që shndërrimin e Shqipërisë në hambar droge e ka projektin e vet politik, për të prishur dhe kapur zgjedhjet e ardhshme. Ky projekt erdhi në jetë me kriminalizimin, ndaj Edi Rama refuzon të zbatojë dekriminalizimin.

Këtë shqetësim që kemi ndarë sot me grupin parlamentar e në vijimësi me opinionin publik, ne e kemi kthyer në qendër të betejës tonë politike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe sot dua të ndaj me ju dhe nëpërmjet jush me qytetarët shqiptarë faktin se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër drogës dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit janë kthyer sot në pengesën numër një për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, për hapjen e negociatave për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Nuk mund të flitet më qartë se kaq. Sepse edhe tek zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, edhe tek çështja e drogës dhe shndërrimit të Shqipërisë në një narko- republikë, edhe tek çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, faktori që mban këto të treja lidhur me njëra-tjetrën është kryeministri i vendit, është Edi Rama.

Pengesa kryesore për ecjen e Shqipërisë përpara është njeriu që duhej të ishte përgjegjës për progresin e Shqipërisë në drejtim të BE. Sikundër është pengesë për gjithçka tjetër; për ekonominë që po mbytet ditë për ditë, për shëndetësinë që mbërthehet çdo javë nga skandale apo krime si ky i fundit ku Ilir Beqja me Edi Ramën japin 1.7 miliard lekë Vilma Nushit për kontrolle që nuk i ka kryer - me letra nuk i ka kryer se edhe ato që ka kryer me letra nuk i ka kryer. Para të cilat janë spërkatur me gjakun e grave shtatzëna, foshnjave të palindura dhe të sëmurëve të tjerë shqiptarë që nuk marrin trajtime, nuk marrin medikamente apo i marrin të skaduara sepse i vjedh Edi Rama dhe Ilir Beqja përmes Vilma Nushit.

Kësaj nuk mund t’i mbyllet dot goja duke bilbilosur apo kërcënuar në monologje mediat, analistët, gazetarët. Sepse të identifikosh median si problemin e vendit, pasi ke identifikuar opozitën do të thotë të kesh identifikuar me gisht popullin tënd si problemin. Dhe kjo është faza e fundit halucinante e çdo regjimi të rënë moralisht dhe politikisht.

Partia Demokratike, unë si kryetar i opozitës, së bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet, madje edhe me faktorë politik brenda vetë Partisë Socialiste, duhet t’i japim zgjidhje duke larguar kryeproblemin, duke u dhënë shqiptarëve mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes dekriminalizmit, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore dhe përmes alternativave që do të nxjerrin vendin nga mjerimi, krimi dhe droga ku e ka zhytur Edi Rama.

Cilët janë këta faktorë brenda PS që i bashkohen aleancës së opozitës, z.Basha?

Basha: Bashkërisht mund të themi disa emra, por nuk jemi këtu për të thirrur në emra të përveçëm ata faktorë politikë apo edhe parlamentarë brenda PS, apo brenda maxhorancës që sot nuk bëjnë gjë tjetër veçse pohojnë atë që pohon çdo shqiptar i ndershëm, që janë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se me Edi Ramën, Shqipëria nuk mund të shohë më asnjë ditë të bardhë. Dhe më e rëndësishmja, Shqipërisë i mohohet e drejta për të zgjedhur të nesërmen, i mohohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ka një panoramë tjetër nga kjo. Ka disa fakte të tjera, si p.sh që Edi Rama pritet më 28 nëntor nga Angela Merkel për të mbështetur vazhdimësinë e Shqipërisë në integrimin e saj në BE. Është një letër që i ka çuar Avromopulos, Saimir Tahirit ku e përgëzon për luftën që ka bërë policia kundër kanabisit. Pra, nuk mund të jenë pasqyrë vetëm ajo që thoni ju, ka ngjyra të tjera. A e shikoni këto pengesë për të arritur qëllimet tuaja?

Basha: Në një betejë ekzistenciale siç është kjo para së cilës gjendemi sot ne, opozita, ju mediat dhe shumica dërrmuese e qytetarëve, arma e vetme e qeverisë dhe e Edi Ramës, ku në fakt shkëlqen me talentin e tij krejt të padobishëm për realitetin sot dhe për atë që po vjen nesër, është manipulimi i opinionit dhe manipulimi i qëndrimeve të komunitetit ndërkombëtar.

Unë shpreh bindjen e thellë se qëndrimi i konsoliduar kombëtar dhe ndërkombëtar është se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa zbatuar deri më një ligjin për dekriminalizimin dhe pa një luftë të vendosur kundër drogës që është sot serumi i vetëm i një të sëmuri që po jep shpirt, që është qeveria e Edi Ramës. Ky është një mesazh që po rezonon dhe do të rezonojë në çdo komunikim serioz ndërkombëtar, institucional dhe politik nesër, pasnesër dhe në javët dhe në muajt në vijim.

Nuk ka si të jetë ndryshe dhe nuk ka për të qenë ndryshe. Por sot nuk jemi këtu për të bërë as parashikuesin, as fallxhorin, por për të shprehur vullnetin tonë, vullnetin tim që këtë axhendë, këtë prioritet absolut të shqiptarëve, që ka qenë kauza kryesore e opozitës prej më shumë se një viti, që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2015 që sot e gjejmë të mishëruar me të drejtë si parakusht për ecjen përpara të Shqipërisë në çdo drejtim, përfshi integrimin europian të vendit.

Besoni se këto që po kërkoni juve do të jenë kushte për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave?

Basha: Se çfarë besoj unë dhe se çfarë bindje kam unë, ua shpreha fare qartë. Tani është koha që çdokush të marrë peshën e përgjegjësisë që i takon dhe padyshim peshën kryesore të përgjegjësisë e kanë shqiptarët dhe faktorët e tyre politikë. Partia Demokratike e ka marrë plotësisht këtë peshë përgjegjësie, po e zgjeron aleancën e saj të vlerave me të gjithë faktorët e tjerë që e kuptojnë se e ardhmja kalon vetëm përmes zbatimit të ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe jam i bindur se asnjë faktor tjetër i përgjegjshëm, ku natyrisht rreshtoj partnerët tanë, aleatët tanë, SHBA dhe BE, nuk do të ndajë qëndrim tjetër për të ardhmen e Shqipërisë.