Transmetuar më 02-11-2016, 11:26

Babai i njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Aleksandër Bardhit në fshatin Shëndëlli të Konispolit, i ka shpëtuar një atentati me shpërthim të telekomanduar.

Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi lënde plasëse në mjetin e tij gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, por fatmirësisht është pikasur në kohë dhe është njoftuar policia. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se shtetasi Agron Xhezairi, 53 vjeç, ka zbuluar një send të dyshimtë, teksa ishte duke lëvizur mjetin e tij tip “Mercedes-Benz”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, kur ai po nisej për të shkuar në punë, në një prej pikave të midhjeve në Sarandë. Ai ka konstatuar se në sediljen e pasme të mjetit të tij ndodhej një pako e mbështjellë me qese plastmasi dhe dy fije të lidhura me një celular.

Sapo ka vënë re lëndën plasëse, e cila mund të shpërthente me telekomandë, ai ka zbritur nga “Benz”-i, duke sinjalizuar Komisariatin e Policisë në Sarandë. Efektivët e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku rrethuan zonën për disa orë me radhë, derisa nga Tirana kanë mbërritur ekspertët xhenierë të RENEA-s.

Ekspertët xhenierë kanë mundur të çaktivizojnë lëndën eksplozive dhe ta sekuestrojnë atë në cilësinë e provës materiale. 53- vjeçari Agron Xhezairi është babai i personit të shpallur në kërkim, Albi Xhezairi, 20 vjeç, shkruan ‘Panorama’.

Ai kërkohet nga policia si personi i dyshuar për vrasjen në bashkëpunim të 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi, ngjarje kjo e ndodhur më 24 shtator të këtij viti në fshatin Shëndëlli, Bashkia Konispol.

Për këtë ngjarje Policia e Sarandës ka arrestuar edhe Dhimitër Cikon, 20-vjeç, i dënuar për “trafik ndërkombëtar droge”, si dhe 18-vjeçarin Amarildo Lame, ndërkohë që ka shpallur në kërkim Albi Xhezairin, 20 vjeç, i dënuar më parë për “vjedhje”. Që të tre këta persona janë banues në Ksamil.

Sipas burimeve, Albi Xhezairi dyshohet se ka arritur të largohet në drejtim të Greqisë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti tre kallashnikovë, të cilët rezultuan të ishin përdorur në vrasjen e Aleksandër Bardhit, ndërkohë që nga hetimet rezultoi se tri ditë para ngjarjes, tre të rinjtë kishin qëlluar me armë edhe në shëtitoren e Ksamilit.

Edhe pse ka kaluar me shumë se 1 muaj nga ngjarja, policia nuk ka bërë ende publike motivet e saj. Në lidhje me ngjarjen e djeshme, paraprakisht dyshohet se ka lidhje me hakmarrjen për vrasjen e Bardhit, por nuk përjashtohen as pista të tjera hetimi.

Në foto, Aleksandër Bardhi

I vihet eksploziv një makine në Ksamil, i zoti e zbulon në ecje e sipër