Transmetuar më 03-10-2016, 10:41

Tiranë, 3 tetor 2016, NOA.al- Marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike si dhe mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, ishin në fokus të konferencës së përbashkët për shtyp mes Presidentëve Bujar Nishani dhe Hashim Thaçi.

Në përfundim të takimit të mbajtur mes tyre paraditen e sotme, në kuadër të vizitës së Kreut të Shtetit të Kosovës në Shqipëri, dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

“Shqipëria ka kërkuar gjithnjë pjesëmarrje të barabartë të Kosovës në të gjitha nismat rajonale e ndërkombëtare, kurse Kosova ka mbështetur fuqimisht vendosjen e selive në Tiranë të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, që nënkupton forcim të rolit të Shqipërisë në rajon”, tha Presidenti Thaçi, duke shtuar se i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, që është një urë mes shteteve të rajonit dhe Bashkimit Europian.

Ndërkaq, Presidenti Bujar Nishani, ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet dhe po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë.

“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, si marrëveshje e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, shpresojmë që shpejt të ndodhë edhe përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave nga ana e Komisionit Evropian, sepse nuk ka alternativë tjetër përpos eurointegrimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Nishani.

Nishani e cilësoi si përjetim me emocion të veçantë për çfarë Shqipëria dhe Kosova kanë arritur deri më tani.

Ai shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për avancimin e saj, e cila sipas tij po ecën me ritme shumë më të shpejta edhe se shtetet e tjera të rajonit.

“Përfshirja e ministrave të bujqësisë, infrastrukturës dhe transportit në delegacion, tregojnë interesin e madh që dy vendet tona i kushtojnë këtyre sektorëve dhe bashkëpunimeve rajonale. Vlerësoj rolin e zotit Thaçi si kyç dhe domethënës në takimet e dy qeverive, të cilat i kanë forcuar edhe më shumë marrëdhëniet. Përfshi në sektorin energjetik, krijimin e pikave doganore të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit në arsim dhe në kërkimin shkencor”, u shpreh Nishani.

Ai shprehu mbështetje për dialogun Kosovë- Serbi, duke thënë se respektimi i marrëveshjeve të arritura do ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve si dhe në forcimin e stabilitetit.

Nishani shtoi më tej se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale ka dhënë vlerë të shtuar në rajon.

“Shqipëria do vazhdojë mbështetjen e Kosovës si në proceset integruese edhe në nismat rajonale”, tha ndër të tjera Presidenti Nishani.

Nga ana e tij Thaçi tha se marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë kanë kaluar në marrëdhënie të një partneriteti të fuqishëm strategjik, të cilat janë model për rajonit.

“Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike”, deklaroi Thaçi.

Ai deklaroi se mbledhjet mes dy qeverive i kanë dhënë dimension të ri bashkëpunimit, duke shpresuar se bashkëpunimi vetëm do rritet dhe projektet që janë menduar do realizohen.

Presidenti i Kosovës, shprehu bindjen se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është model për rajonin dhe ka një rritje pozitive. Sipas tij, brenda vitit 2015, volumi tregtar i Kosovës është rritur me 15% ndërsa shkëmbimet tregtare me Kosovën kanë arritur në 200 milionë euro.

Thaçi vlerësoi se Shqipëria mbetet destinacioni kryesor turistik për kosovarët.

“Kemi hyrë në proces konsolidimi të shtetit të Kosovës, mbetet për t’u bërë edhe më tepër por kam besim se rruga e avancimit do të vijojë”, tha Kreu i Shtetit të Kosovës.

Fjala e plotë e Presidentit Nishani gjatë konferencës

Përshëndetje të gjithëve, përfaqësuesve të medias, në këtë konferencë të përbashkët të shtypit!

Mirë se keni ardhur për të ndjekur këtë takim të veçantë dhe në fillim dëshiroj të shpreh kënaqësinë shumë të veçantë dhe speciale që pata sot duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, Presidentit të Republikës të Kosovës, vëllait tonë, zotit Hashim Thaçi.

Për zotin Thaçi nuk ka sens numërimi i vizitave të tij në Shqipëri, por si President i Kosovës, kjo është vizita e parë shtetërore në Shqipëri, që nga marrja e kësaj detyre të lartë pak muaj më parë, ndaj dhe e konsideroj shumë të veçantë këtë vizitë duke u ndier edhe personalisht, i respektuar, i nderuar dhe i privilegjuar që e mirëpres zotin Thaçi në këtë vizitë në Tiranë.

Ceremonitë dhe takimet e sotme këtu në Presidencë, si në takimin e përbashkët që patëm ashtu edhe në takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve, ne përcollën me emocion të veçantë dhe frymë vëllazërore gjithçka Shqipëria dhe Kosova kanë arritur në përpjekjet e gjata për zhvillim dhe përparim. Gjeta rastin në mënyrë të veçantë të shpreh në emrin tim personal dhe të Institucionit që përfaqësoj, atij të Kryetarit të Shtetit shqiptar, por dhe qytetarëve shqiptarë, falënderimet, respektin dhe mirënjohjen ndaj kontributit personal të Presidentit Thaçi në rrugëtimin e gjatë të Kosovës dhe popullit të Kosovës për çlirim, pavarësim, konsolidim, dhe zhvillim të mëtejshëm tashmë të shtetit më të ri të rajonit, por që duket që po ecën me ritme shumë të shpejta se mjaft prej shteteve të tjera të rajonit tonë.

Siç dhe ju e keni parë në agjendën e vizitës, në përbërje të dy delegacioneve janë përfshirë dhe Ministra, anëtarë të kabineteve qëveritare të dy qeverive të vendeve tona, çka e bën agjendën e bisedimeve jo vetëm më konkrete, por edhe më impenjative.

Përtej bashkëpunimit të shkëlqyer dhe strategjik të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, përfshirja e ministrave specifikisht të fushës së bujqësisë dhe të transportit e infrastrukturës në delegacionet përkatëse, demonstron interesin e madh që dy vendet tona i kushtojnë bashkëpunimit në këto sektorë, si në kontekstin dypalësh ashtu edhe impaktin dhe lidhjet e këtyre sektorëve me zhvillimet rajonale.

Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, vlerësuam me nota shumë pozitive dinamikën e bashkëpunimit të deritanishëm, ku padyshim një rol të veçantë kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta mes qeverive të të dy shteteve.

Sigurisht zoti Thaçi, në cilësi të tjera drejtuese në Kosovë, ka luajtur një rol kyç dhe shumë domethënës për konkretizimin e këtyre takimeve midis qeverive, të cilat i kanë dinamizuar edhe më shumë marrëdhëniet, veçanërisht në kuadrin e punës për unifikimin e tregjeve mes dy shteteve, përfshirë dhe atë energjetik, krijimit të pikave doganore të përbashkëta, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Lidhur me bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor, theksoj domosdoshmërinë e nxitjes së vazhdueshme të institucioneve të të dy shteteve tona për të fokusuar energjitë dhe burimet e tyre në vijimësi në drejtim të promovimit të unifikimit të vlerave të përbashkëta historike e kulturore.

Një vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit rajonal, aty ku të dy shtetet tona me orientim të qarët euroatlantik po kontribuojnë në mënyrë të qenësishme për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër ritheksova mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe shpreha besimin se avancimi i mëtejshëm i këtij dialogu, respektimi dhe përmbushja e marrëveshjeve të arritura do të ndikojë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, por edhe për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit për të gjithë rajonin tonë.

Gjithashtu, duke vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale i ka dhënë një vlerë të shtuar paqes dhe sigurisë në rajon, e sigurova Presidentin Thaçi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë prezencën dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës si në proceset euro-integruese ashtu edhe në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Procesi i integrimit euro-atlantik i Kosovës dhe mbyllja sa më parë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE, do të konfirmojnë dimensionin e lirisë dhe frymën e përhapjes së prosperitetit që mbart në themelin e saj hapësira euro-atlantike.

Shqipëria i mbështet fuqimisht këto procese dhe në këtë kuadër pata rastin të përshëndes edhe njëherë nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në prill të këtij viti, si marrëveshja e parë kontraktuale me Unionin dhe që ka hapur një fazë të re në marrëdhëniet Kosovë-BE.

Sigurisht, që sot patëm rastin të diskutojmë edhe për çështje të tjera me interes për të dy shtetet tona, veçanërisht kërcënimet dhe sfidat që vijnë në drejtim të sigurisë të qytetarëve, të shteteve dhe vendeve tona.

Theksuam domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve nga institucionet e specializuara të dy shteteve tona me ato të partnerëve tanë ndërkombëtarë, për luftimin me sukses dhe përballimin me sukses të çdo sfide dhe çdo provokimi që mund t’i vijë sigurisë të rajonit dhe vendeve tona.

Në mbyllje të kësaj deklarate dëshiroj edhe një herë t’i shpreh Presidentit të nderuar dhe mikut tim zotit Hashim Thaçi pranimin që i bëri ftesës për të vizituar Shqipërinë dhe t’i uroj atij një qëndrim të këndshëm në Shqipërinë tonë të përbashkët.

/a.y/noa.al