Transmetuar më 29-09-2016, 16:58

(Në foto, viktima Aleksandër Bardhi)

Nën masa normale sigurie, janë paraqitur mëngjesin e së enjtes para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës, dy të dyshuarit për vrasjen e Aleksandër Bardhit në fshatin Shëndëlli, në 24 shtator të këtij viti.

I pari që është sjellë në Gjykatë, ka qenë 15-vjeçari Gj.A. Seanca në ngarkim të tij, është zhvilluar në praninë e psikologes Ana Miça, për shkak të moshës së mitur të të dyshuarit, dhe është mbrojtur nga avokati Andrea Zota i ardhur nga Gjirokastra.

Prokurori Sali Hasa ka lexuar akt akuzën për 15-vjeçarin të dyshuar për dy vepra penale, “Vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Kërkesën e Prokurorit Sali Hasa për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” pa afat e ka lënë në fuqi edhe gjyqtari Sokol Pina.

Edhe në masën e sigurisë mësohet që i dyshuari Gj.A., të këtë vazhduar të mbajë qëndrim të fortë mohues për akuzën, duke thënë se ai ndodhej në banesë kur në fshat janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Në seancën ndaj 29-vjeçarit Fernando allias Florin Deda, edhe ky i fundit ka mbajtur qëndrim mohues, madje mësohet të jetë shprehur:

“Më vrisni tani këtu nëse vërtetoni që e kam vrarë unë Aleksandër Bardhin”, shkruan “Panorama.

Për 29 vjeçarin Fernando Deda ka vënë gjykata një avokat mbrojtës kryesisht.

Prokurori Sali Hasa ka ngritur ndaj tij vetëm akuzën “Vrasje me dashje në bashkëpunim” duke kërkuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, e cila është lënë në fuqi edhe nga gjyqtari Sokol Pina.

Të mërkurën në mbrëmje, policia e Sarandës vuri në pranga 30-vjeçarin Eduart Gjonaj, banues në fshatin Shëndëlli, si i dyshuari i tretë për ngjarjen e rëndë. Policia ka qenë e rezervuar në dhënien e detajeve për arrestimin e tretë, por mësohet se për të dyshuarin ka prova disi më të forta. Ashtu si Arapi dhe Deda, Gjonaj ka mbajtur gjithashtu qëndrim të fortë mohues duke thënë se ai kishte miqësi me viktimën dhe se nuk mund të kryente krim ndaj tij.

Vrasja e Bardhit, arrestohet një person i dyshuar për krimin

Prokuroria: Aleksandër Bardhi shkoi të mjekohej në shtëpi, aty ndërroi jetë

Vrasja e 56-vjeçarit në Sarandë, në pranga i riu dhe një i mitur

Vrasja e vëllait të zyrtarit të PS, policia: Ka të kaluar kriminale

Sarandë, vritet me armë zjarri vëllai i kryetarit të njësisë administrative