Transmetuar më 27-09-2016, 18:06

Fushata e ndërgjegjësimit dhe informimit publik për kontrollin shëndetësor bazë, për “check-up-in” falas, për grup moshat 40- 65 vjeç, në të gjithë Shqipërinë vijon nën moton: “Të shëndetshëm, jemi të gjithë të barabartë! Shëndeti nuk është një privilegj, është e drejta jote.”

Ministria e Shëndetësisë hapi një vit më parë një epokë të re: kontrollin falas të shëndetit bazë, për të gjithë shqiptarët nga  mosha 40 deri në 65 vjeç, në qytete e fshatra, deri edhe në zonat më të thella të Shqipërisë!

Nisi bashkë me këtë iniciativë edhe fushata e ndërgjegjësimit dhe informimit publik, “Si je” që do të ftonte të gjithë grup moshat e përfshira, që një herë në vit, të paraqiteshin në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryenin kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë, për t’i dalë kështu përballë problemeve të mundshme në organizmin e tyre. 

Fushata e ndërgjegjësimit vazhdon edhe këtë vit. Mesazhet dhe informacionet kanë filluar të përcillen kudo, fillimisht në zona të ndryshme të Tiranës e në vazhdim do të shpërndahen edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, për shërbimet që ofrohen çdo ditë në 415 Qendra Shëndetësore, nga punonjësit e shëndetësisë në Kujdesin Shëndetësor Parësor; për shërbimet që sigurohen edhe në 35 Qendra Shëndetësore që gjenden në zona me probleme të infrastrukturës rrugore; për paketën e shërbimit që përfshin matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje të parametrave fiziologjikë e biokimikë siç janë tensioni arterial, indeksi i masës trupore, aktiviteti i zemrës (EKG), formula e gjakut, Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, glicemia, albuminuria, prania e qelizave, azotemia dhe kratinemi; vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës siç janë ushqyerja, konsumimi i duhanit e i alkoolit apo dhe niveli i stresit dhe depresionit etj. 

Pas rezultateve të kënaqshme të nxjerra nga faza e parë e kësaj fushate dhe e këtij Programi Kombëtar që u iniciua nga Ministria e Shëndetësisë (në 2 prill 2014), në zbatim të një prej zotimeve themelore programore në sektorin e shëndetësisë, ky aksion publik vazhdon të kryejë edhe më tej misionin e kontrollit falas të popullatës, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme si dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.

Të mësosh se “Si je”, tani është fare e thjeshtë. Të parandalosh është më mirë së të kurosh. Mjafton të shkosh në Qendrën shëndetësore të zonës ku banon.