Transmetuar më 25-09-2016, 20:36

Në foto: Aleksandër Bardhi

Policia ka vënë në pranga dy persona të cilët dyshohen se mund të jenë autorë të vrasjes së Aleksandër Bardhit në Sarandë, vëllait të ish-kryetarit të njësisë administrative Kaçinar, Petrit Bardhi.

Burime nga uniformat blu bën me dije se janë arrestuar dy persona, Fernando Deda 25 vjeç dhe një person tjetër 16 vjeçar, me iniciale Gj.A.

Ata akuzohen për vrasje në bashkëpunim, ndërkohë që nga hetimet e para dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive banale.

Duke folur zyrtarisht mbi ecurinë e hetimit, policia në Sarandë tha sonte se arrestoi dy shtetas si autorë të dyshuar të vrasjes së Aleksandër Bardhit, në Shëndëlli të Konispolit.

Fernando Deda, 29 vjeç dhe Gj.A., 15 vjeç, që të dy, banues në fshatin Shëndëlli, Konispol, u arrestuan në flagrancë, pak orë pasi u identifikuan si autorë të krimit që ndodhi në fshatin e tyre të lindjes ku gjeti vdekjen 56-vjeçari Aleksandër Bardhi, 56 vjeç, me banim në të njëjtin fshat.

“Kemi kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit e mësipërm në fshatin Shëndëlli, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”, për motive të dobëta”, – tha zyrtarisht policia lokale.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në banesën e të miturit Gj.A., policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri të llojit “Automatik” model 56, e cila sipas hetimeve të kryera dyshohet të jetë arma e krimit e përdorur në lidhje me ngjarjen

Gjithashtu, Policia bën me dije se shtetasi Fernando Deda, ka rezultuar person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 5 vite burg për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Policia detajoi se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: – një armë zjarri automatik-model 56, – një krehër me 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm, – 26 copë fishekë të tjerë të të njëjtit kalibër.

Foto: Arma e krimit

Sarandë, vritet me armë zjarri vëllai i kryetarit të njësisë administrative

Vrasja e vëllait të zyrtarit të PS, policia: Ka të kaluar kriminale