Transmetuar më 25-09-2016, 11:44

Sarandë, 25 shtator 2016, NOA.al – Vëllai i kreut të njësisë administrative Kaçinar, Aleksandër Bardhi i cili u gjet i pajetë në një kanal në fshatin Shëndelli, njihet nga policia si person me precedentë penalë, pasi rezulton të jetë dënuar më parë me 8 vite heqje lirie, për plagosje të rëndë me dashje, ngjarje e ndodhur në parë në Mirditë.

Mësohet se Aleksandër Bardhi nuk e ka kryer dënimin, pasi ka qenë person në kërkim.

Ndërkohë policia e Sarandës ka shoqëruar 16 persona në lidhje me vrasjen e Aleksandër Bardhit, me të cilët po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Aleksandër Bardhi, 47-vjeç, ka mbetur i vrarë me armë zjarri mesnatën e mbrëmshme. Sipas burimeve policore rreth orës 00:35, në Spitalin e Sarandës është dërguar një trup i pajetë i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Gjatë hetimeve paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur afër fshatit Shëndëlli (përballë fshatit Vrinë) ku sipas deklaratës së personit që e ka shoqëruar viktimën në Spitalit e Sarandës (djali i xhaxhait të viktimës) dyshohet se trupi i pajetë është gjetur nga ana e tij i vrarë me armë zjarri të dyshuar të llojit automatik në rrugën hyrëse të këtij fshati.

Grupi hetimor nuk ka ende një pistë zyrtare për ekzekutimin e 47-vjeçarit dhe po punon për identifikimin e autorëve./b.l/noa.al/