Transmetuar më 18-09-2016, 08:25

Shuhet në moshën 80- vjeçare, ish- kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Ndarja e tij nga jeta është bërë gjatë mesnatës mes të shtunës dhe të dielës, për shkak të komplikimeve nga një sëmundje e rëndë, nga e cila vuante prej disa kohësh.

Për 14 vite me radhë, nga 2004 deri në 2014 ka qenë në krye të KMSH, dhe pas tij vendin e zuri kryetari aktual i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, për shkak se ai nuk kandidoi më për arsye shëndetësore. Gjithashtu ai deklaroi se tërheqja e tij erdhi për t’i lënë radhë brezit të ri.

Këshilli i Përgjithshëm i KMSH, e shpalli Haxhi Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”.

Kush ishte Selim Muça

Haxhi Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam deri në momentin e ndërrimit jetë në fshatin e lindjes. Me fillimin e proceseve demokratike, është angazhuar totalisht në shërbim të Islamit dhe ringritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë: Eksperienca në Punë: 1. 1964-1991 – Ndërmarrja Gjeologjike- Bulqizë-Dibër në funksionin e Inxhinierit Gjeodezi-topografi-hartografi. 2. 1992-1994 – Inspektor Arsimi në Komunitetin Mysliman. 3. 1994 (4 muaj) – Myfti i Elbasanit. 4. 1994-1995 – Në dispozicion të Myftinisë Lezhë dhe Vlorë. 5. 1995 deri ne Mars 2004 Shef personeli në KMSH 6. Mars 2004 dhe në vazhdim Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Haxhi Selim Muça ka qenë kështu lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin. Ai erdhi në një kohë kur në dosjen e tij kërkojnë zgjidhje një sërë çështjesh të rëndësishme, siç janë vizioni i ri dhe një prej çështjeve më të mprehta, ajo e rikthimit të pronave, çështje kjo shpesh e diskutuar dhe ndonjëherë e keqinterpretuar jo vetëm nga mediat, por edhe nga individë të caktuar. Miradministrimi i pronave të KMSH-së, do të ndikonte në vetë administrimin e Komunitetit Mysliman, gjë që do të evitonte vartësinë financiare të tij nga burime të jashtme.

Haxhi Selim Muça gjithashtu ka ndikuar në specializimin e kuadrove të KMSH-së dhe zëvendësimin e tyre me kuadër të rinj, duke rifreskuar postet më të rëndësishme në të gjithë kryesinë dhe nëpër myftini në të gjithë Shqipërinë. Disa prej anëtarëve të kryesisë drejtuar nga ai tashmë janë edhe me grada shkencore, sajë bursave që janë siguruar në marrëveshjet me Komunitetin Mysliman. I kompletuar me arsimin teologjik dhe atë laik, ka sjellë me vete një CV (curriculum) të gjerë. Ai ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Haxhi Selim Muça ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Kështu ai zotëronte mjaft mirë gjuhën çeke. Në fillim të viteve ’90 me devotshmëri dhe përkushtim, ai merr pjesë aktive në rigjallërimin e strukturave të fesë Islame në Shqipëri dhe luan një rol të rëndësishëm në punën e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke kryer disa detyra.

Haxhi Selim Muça është evidentuar si një prej emrave të përshtatshëm për postin e kreut të Komunitetit Mysliman, për frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, seriozitetit dhe ideve gjithëpërfshirëse që e karakterizojnë. Kjo u bë e qartë edhe në zgjedhjen e tij në 2004 në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së, ku Haxhi Selim Muça mori 78 % të votave nga anëtarët e pranishëm.

Ne fokusin e prioriteteve dhe veprimtarisë së Selim Muça, një vend të veçantë ka zënë edhe çështja për ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë. Ai ka ndërmarrë angazhime dhe përpjekje të konsiderueshme, si me anë të negociatave për ndjekje të procedurave dokumentare, ashtu dhe atë te korrespondencës zyrtare me Komitetin Shtetëror për Kultet, Bashkinë e Tiranës, Kryeministrinë dhe KKRTSH-në.

Në zbatim të detyrave statuore, Muça ka kryer në nivel të lartë procedural-protokollar te gjitha takimet me udhëheqës të shtetit, ministra, diplomatë, delegacione të huaja, etj., si dhe ka realizuar të gjitha takimet ndërkombëtare, sipas ftesave të ardhura në KMSH, duke përmendur edhe takimet me masmedian perëndimore për intervistë nga vende të ndryshme të botës. Ai ka përgatitur gjithashtu projekte afatshkurtër dhe afatgjatë për sponsorizim, nga qeveritë e Malajzisë, Arabisë Saudite, Turqisë etj., në fusha të ndryshme.

Në këndvështrimin e aktiviteteve ndërinstitucionale të KMSH-së mund të përmendet realizimi i një sërë veprimtarish në nivel të lartë drejtuesish në konferenca e seminare të organizuara nga institucione vendase dhe te huaja, siç është zhvillimi i aktivitetit institucional diplomatik i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës nëpërmjet takimeve të zhvilluara me ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe përgatitja e deklaratave drejtuar organizmave ndërkombëtare si Organizatës se Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Konferencës së Vendeve Islamike, etj. Njëkohësisht mund të përmenden edhe pjesëmarrjet aktive të z. Muça në takime, vizita pune e konferenca ndërkombëtare të zhvilluara në Angli, Gjermani, Itali, Japoni, Turqi, Arabi Saudite, Egjipt, etj.

Në aspektin e aktiviteteve fetare gjatë këtyre viteve, mbi të gjitha vlerësohet organizimi madhështor me karakter ndërkombëtar, të Programit Festiv, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed (a.s.). Përveç trupit diplomatik dhe personaliteteve të larta të shtetit Shqiptar, në këtë program madhështor, si presidenti, ashtu edhe Kryeministri, kanë shprehur përgëzimin e tyre ndaj Komunitetit Mysliman, për organizimin e evenimenteve të tilla bashkëkohore dhe për imazhin e bukur që ky Komunitet i jep këtij vendi. Gjatë mandatit të z. Muça këshilli botues ka realizuar për herë të parë disa botime me studime të mirëfillta, të cilat i vihen në ndihmë kuadrove fetare nëpër myftini, medrese e më gjerë, duke u regjistruar për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare me ISBN të përkatëse në emër të Komunitetit Mysliman. Këto vepra janë pasqyruar edhe ne panairin e librit 2008, ku KMSH për herë të parë ka qenë prezentë me një shumëllojshmëri artikujsh.

Një nga strategjitë kryesore të Selim Muça, ka qenë gjithashtu edhe ngritja e sistemit dhe nivelit arsimor nëpër medrese, tej standardeve që ka vendi ynë. Gjatë këtyre viteve evidentohen veprimtaritë kombëtare të organizuara si, Konkursi i Kur’anit Famëlartë në rang ndërkombëtar. Si dhe më e rëndësishmja gjatë këtyre viteve shkollore, janë bërë investime të mëdha përkatësisht në medresetë e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Cërrikut dhe Kompleksi i Korçës, të cilat të gjitha së bashku arrijnë në miliona euro investime, falë marrëveshjeve që KMSH me në krye Haxhi Selim Muçën, ka nënshkruar me disa shoqata në nivel ndërkombëtar./a.y/noa.al