Transmetuar më 15-09-2016, 17:47

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Thethit, nisën sezonin e ri shkollor në një ambient të ri, të rikonstruktuar në sajë të donacionit të Fondacionit të Vodafone Albania.

“Krahas investimeve të vazhdueshme ndër vite me rreth 500 milion Euro për të mundësuar cilësinë më të mirë të shërbimeve, shërbimin më të mirë ndaj klientit si dhe rrjetin më të mirë me mbulimin më të gjerë në çdo skaj të vendit, Vodafone Albania i dedikon çdo vit e më shumë pjesë të buxhetit të saj investimeve që nxisin zhvillimin e komunitetit. Në 15 vitet e prezencës së saj në Shqipëri, vetëm investimet në fushën sociale nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania kanë arritur rreth 450 milion lekë dhe angazhimi i kompanisë në këtë fushë do të vijojë me projekte dhe iniciativa në të mirë të komunitetit”, – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Dietlof Mare me rastin e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në Theth.

Inaugurimi i shkollës së rikonstruktuar u bë ditën e djeshme, në një ceremoni në prezencë të përfaqësuesve të kompanisë Vodafone Albania, Fondacionit Vodafone Albania, Bashkisë Shkodër, stafit të shkollës 9-vjecare të Thethit, nxënësve të shkollës, prindërve dhe banorëve të zonës.

Pas shpërndarjes së dhuratave që Vodafone kishte përgatitur për nxënësit e shkollës, Drejtori i shkollës z. Nika falënderoi Fondacionin Vodafone Albania dhe tha: “Jemi shumë të lumtur që sot presim nxënësit dhe fëmijët tanë në një shkollë të re të rikonstruktuar me kushtet më të mira. Këtë vit hapim sezonin shkollor me bindjen se kjo dhuratë e Fondacionit Vodafone Albania do u shërbejë nxënësve të kësaj shkolle për breza me radhë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Fondacionit Vodafone Albania u shpreh:

“Jemi sot me ju në këtë ditë të veçantë për të  hapur dyert e këtij sezoni shkollor në një shkollë krejtësisht të rikonstruktuar me kushte më të mira për ju. Gjithçka e bëmë shpejt, në një muaj, sepse të gjithë punuan me gjithë zemër dhe me gjithë zemër ju urojme një vit shkollor sa më të suksesshëm. Ne do gjendemi gjithmonë pranë jush me qëllimin e vetëm që Thethi të marrë formën e një qendre edukimi, shumëfunksionale, jo vetëm për nxënësit e të rinjtë e Thethit por dhe për të gjithë turistët që vizitojnë Thethin çdo vit e më shumë”.

Përveç investimeve në sektorin e komunikimeve elektronike, Vodafone Albania zgjeron çdo herë e më shumë edhe gjeografinë e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës, në shkollë e rrugë, si dhe për rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të komuniteteve, deri dhe në zonat më të thella të Shqipërisë. Rikonstruksioni i shkollës 8- vjeçare në Theth është një tjetër dëshmi e angazhimit të Vodafone Albania ndaj çështjeve të përgjegjësisë sociale.