Transmetuar më 13-09-2016, 14:22

Në mesin e shumë qyteteve europiane ku ju mund të kaloni pushime të mrekullueshme, “The Guardian” ka listuar edhe Tiranën me Prishtinën. Në shkrimin e “The Guardian” thuhet se këto qytete mund të mos jenë të pasura kulturalisht, por ia vlen të vizitohen në fundjavë.

Edhe pse Tirana dhe Prishtinë renditen përkatësisht në vendin e 9 dhe të 8, ato vlerësohen për mundësitë që ofrojnë.

Tirana përshkruhet si qyteti i argëtimit, vend kumbues e shumëngjyrësh. Si vend i preferuar për shëtitje përmendet Mali i Dajtit, ndërsa zemra e jetës së natës është Blloku, një zonë që më parë ka qenë e rezervuar për zyrtarë të lartë partiakë, e tani e shndërruar në enklavë plotë gjallëri me restorante e bare.

Në këtë shkrim thuhet se atraksioni kryesor i Prishtinës është statuja e Bill Clintonit, ndërsa muzeu etnografik sipas tyre është lokacioni që duhet vizituar gjithsesi. Sipas tyre kafja është e mrekullueshme në Prishtinë, po ashtu edhe ushqimi tradicional.

Të tjera qytete që janë renditur në këtë listë janë edhe Kotorri i Malit të Zi, Plovdiv e Bullgarisë, Pula në Kroaci, Palanga në Lituani, Ohri në Maqedoni e disa vende të tjera.