Transmetuar më 06-09-2016, 12:46

Sot kur Lëvizja Socialiste për Integrim bën 12 vite krijim, kreu i saj Ilir Meta flet për rrugëtimin e saj, që nga krijimi, koalicioni me Partinë Demokratike dhe atë aktual me Partinë Socialiste. 12 vjet me parë, çatia rozë e socialistëve pësoi krisjen e parë me largimin e një grupi të fuqishëm deputetësh dhe themeluesish të saj, që sollën në skenën politike shqiptare një parti të re dhe ekuilibra të reja, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në këtë rrugëtim prej më shumë se një dekade, kjo parti ka ndjerë, siç thotë kryetari i saj Ilir Meta në një rrëfim në Ora News, presionin e fortë të dëmtimit nga partitë e quajtura të mëdha.

Por ai mendon se LSI ja doli si pasojë e këmbënguljes për të përcjellë tek njerëzit energjitë e munguara.

Megjithatë, duket se për Ilir Metën nuk ka shumë rëndësi të jesh parti e parë, pasi me politikat që ndjek dhe me konseguecën e qëndrimeve mund të renditesh në vend të parë edhe kur je në të tretin numerikisht.

Ai thotë se aktualisht LSI është në një moment reflektues, në një proces të zgjedhjeve të saj dhe të Kongresit të saj apo të Konventës zgjedhore.

“Do i duhet të rishikojë programin e saj politik, të rishikojë dhe të fillojë të punojë dhe për programin e ardhshëm elektoral. Natyrisht në këtë drejtim zoti Haxhinasto dhe për shkak të eksperiencave të tij, jo vetëm të fundit por edhe të mëparshme në qeveri, mund të japë kontribute të veçanta së bashku dhe me shumë kolegë të tjerë. Por kërkohet një ndarje forcash dhe natyrisht edhe këndvështrime të ndryshme për të arritur produktet me të mira”, deklaron Meta.

Intervista e plotë

Zoti Meta, sot në ditën e përvjetorit të themelimit të partisë tuaj, LSI, çfarë kujtoni nga momenti i parë? Ishte një vendim kurajoz për të lënë një parti që ishte në qeveri, morët një grup Ministrash, përfaqësues të PS dhe vendosët ta linit atë në 6 shtator 2004.

Ka qenë një proces, 6 shtatori i vitit 2004 ka qenë dita e formalizimit të një iniciative e cila në fakt fillimisht kishte synuar të rikthente apo të kemi konsiderata qëndrimet tona të asaj kohe, të PS, në një normalitet demokratik dhe natyrisht që 6 shtatori ishte një pikënisje shumë e rëndësishme jo vetëm për LSI, por në përgjithësi për politikën shqiptare. Nuk ishim thjesht një forcë e re politike, por një sfidë mjaft e rëndësishme, serioze që i bëhej sistemit të deriatëhershëm politik në vend që ishte dominuar në mënyrë të hekurt vetëm nga dy parti.

E latë qeverinë në atë kohë, siç thatë kur e themeluat LSI, për shkak të disa sjelljeve arrogante, po ashtu dhe PS. Sot pas kaq vitesh kanë ndryshuar partitë dhe qeveritë në drejtimin e vendit?

Besoj se vendi ka pësuar shumë ndryshime, por ato kanë qenë të pamjaftueshme për të patur një demokraci jo vetëm funksionale por dhe shumë efektive, e cila garanton pjesëmarrjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe që e mban politikën vazhdimisht nën kontrollin e tyre. Por padyshim që sfidat për ta vendosur politikën nën kontrollin e qytetarëve janë prezente dhe ne jemi të gjithë të angazhuar për këtë qëllim, pasi është mjaft e rëndësishme sikurse e thashë dhe me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës që dhe ne duhet të reflektojmë. Duhet të humanizojmë politikën në vendin tonë, jo të demonizojmë njëri-tjetrin dhe vetë politikën pasi nuk qëndron e keqja tek politika, por tek lloji i politikës që bëhet dhe fokusi shpesh herë i gabuar i saj që është demonizimi apo shkatërrimi i kundërshtarit, ndërkohë që fokusi i saj duhet të jetë realizimi i aspiratave të qytetarëve, realizimi i reformave që ndihmojnë qytetarët, që ndihmojnë vendin dhe këto bëhen duke bashkëpunuar dhe me forca të tjera politike kundërshtare apo rivale, bëhen natyrisht dhe duke konkurruar me to, por gjithmonë për një alternativë më të mirë. Ne jemi një vend me shumë energji, kemi ende një vend me një moshë të re mjaft premtuese dhe kemi nevojë që këto energji pozitive ti çlirojmë përmes një politike më bashkëpunuese. Kjo është filozofia e LSI, përcjellja e një mesazhi gjithmonë pozitiv për atë që LSI do të bëjë, për atë që LSI kërkon të zgjidhë. Fuqia e LSI ka qenë se që në fillim ka qenë mjaft e lidhur me njerëzit, komunitetin dhe kjo është dhe motoja në këtë ditë të rëndësishme të themelimit të LSI. Përgjegjësi dhe solidaritet ndaj komunitetit, sepse që aty fillon angazhimi shoqëror, politik, njerëzor. Një njeri që nuk kujdeset për lagjen e tij, shkollën e tij, ambientin ku jeton, do ta ketë të vështirë të kujdeset për vendin.

Ju jeni një politikan, siç e ka treguar historia, i llogarive të ftohta, një lapsi të hekurt. Keni menduar ndonjëherë me qetësi dhe dashuri që ju sot mund të ishit kryetar i PS, ashtu siç ndodhën ngjarjet në tetor të 2005, pasi PS doli në opozitë?

Nuk është se ka qenë e pamundur për mua që të mund të bëhesha para shkëputjes nga PS dhe kryetar i PS në rrethana të caktuara që unë nuk i kam gjykuar të dobishme për vendin dhe natyrisht që unë kam pasur pozita shumë të larta si ajo e Kryeministrit, dhe detyra të tjera. Nuk e kam pasur asnjëherë si qëllim në vetvete që kryetari i PS, Kryeministri apo çdo lloj pozicioni tjetër dhe aktualisht kryetar i Kuvendit. Besoj dhe për shkak të një eksperience relativisht të gjatë deri tani, angazhimeve të herë pas hershme në opozitë, mazhorancë, në forma të ndryshme dhe të koalicionit qeveritar. Mendoj që është koha për të gjithë ne që të ndërgjegjësohemi që vendi ka nevojë për institucione më të qëndrueshme, më të forta. Për një politikë më të hapur, më të përgjegjshme, më llogaridhënëse, sepse absolutisht ne duhet të punojmë të gjithë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek politika dhe këtë mund ta kthejmë vetëm duke u kthyer ne vetë si politikanë, por dhe politikat tona më pranë tyre, duke i vënë ato vazhdimisht në qendër të çdo diskutimi, projektligji, zbatimi reformash. Përndryshe, politika largohet nga qytetarët dhe ata gjithnjë e më shumë do të kërkojnë zgjidhje të karakterit radikal, apo ekstrem siç ndodh dhe në vendet e tjera dhe që janë mjaft të dëmshme për Shqipërinë si vend demokratik dhe europian.

Zoti Meta, si kryetar i LSI jeni ndjerë ndonjëherë keq, ngushtë, përballë popullit të majtë pasi në 2005 dhe 2009 ishte LSI, fuqia e saj, votat që e lanë të majtën në opozitë? A ishte ky një moment për ta bindur të majtën për lidershipin e saj, demokratizimin, etj?

Nuk e besoj se ka qenë LSI përgjegjëse për këtë çështje.

Përgjegjëse numerike po them, jo përgjegjëse parimesh.

Në politikë përgjegjësia është politike, nuk është numerike. Në politikë 2+2 mund të bëjnë 4 si në matematikë, por mund të bëjnë dhe 6 dhe 1, sepse politika është shumë më komplekse.

Katër deputetë të LSI i dhanë një mandat katërvjeçar zotit Berisha në 2009.

Nuk ka lidhje me zotin Berisha, përsëri ka qenë një vendim politik dhe mendoj se ka qenë një vendim shumë i drejtë për arsye sepse jo vetëm nga ana matematike nuk kishte asnjë vendim tjetër, ose një mundësi që LSI të jepte një kontribut tjetër. Mandatet e LSI me ato të koalicionit të majtë nuk bënin dot 71 deputetë për të prodhuar një qeveri legjitime që të garantonte qoftë dhe një stabilitet minimal për vendin, aq më tepër një qeverisje normale. Ishte i vetmi vendim politik që LSI mund të merrte në ato kushte, përveçse një analize më të thellë që nuk ka qenë LSI që ka kundërshtuar koalicion me PS, përkundrazi ishte lidershipi i PS që edhe përmes ndryshimeve kushtetuese që bëri në prill të 2008, synonte përjashtimin dhe marxhinalizimin e LSI. Është më mirë të bëjmë politikë sesa matematikë.

E qartë. Zoti Meta duket sikur akoma nuk e keni gjetur qetësinë në atë shtëpinë e vjetër rozë, me lidershipin e PS që pas ndarjes së 2004. E them këtë sepse ajo u ndryshua në Kongresin e tetorit 2005, erdhi një lidership i ri, një kryetar i ri. Duket sikur ende dy partitë e majta që dominojnë sot vendin në qeverisje nuk kanë një paqe le të themi.

Nuk jam këtu për të folur për PS, sepse ajo ka lidershipin e saj.

Po flasim për fuqinë e LSI në rastin konkret.

Po. Për të folur për LSI mund të them se jam shumë i kënaqur pas kaq kohësh, pasi LSI ka ndeshur sfida të panumërta, ka sjellë realitete të reja në politikën e vendit tonë dhe ka thyer shumë tabu dhe steriotipë të cilat nuk e ndihmojnë politikën të japë zgjidhje, të çlirojë energji pozitive. Jam shumë i lumtur që kemi dhënë mundësi përmes LSI, jo thjesht të angazhojmë shumë ish-anëtarë të PS-së, përfshirë dhe mua, që kemi qenë mjaft aktivë në atë forcë politike, por mbi të gjitha u kemi dhënë mundësinë shumë të tjerëve që pa LSI nuk do të kishin mundësi të angazhoheshin në politikë, të shërbenin në detyra shumë të rëndësishme, intelektualë, të rinj dhe të reja. Njëkohësisht jemi shumë krenarë që kemi Lëvizjen Rinore për Integrim që është një organizatë e shkëlqyer, e  cila ka sjellë ka sjellë në mënyrë më xhenuine, ose ka rikthyer disa vlera të munguara në përgjithësi për politikën tonë, si ato të solidaritetit, socializimit. Mendoj që pengesa jonë kryesore për një politikë që i shërben më mirë vendit, por dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, padyshim që është egoizmi dhe fryma individualiste e vetë politikës. Hapja e politikës, solidariteti që ajo duhet të përcjellë, i cili është konkret. Fillon aty ku secili prej nesh jeton, tek bashkëpunimi me komunitetin, aty ku secili prej nesh mëson, apo punon. Është mjaft e rëndësishme dhe vendimtare që ato energji, apo ato aftësi që ne i kemi si vend apo si shqiptarë, në mënyrë të veçantë ti orientojmë që ndryshimi në vendin tonë të jetë shumë më i fuqishëm, të jetë shumë më domethënës dhe shumë më përfshirës.Pra të ndihet nga të gjitha shtresat e shoqërisë sonë. Më bëri përshtypje të jashtëzakonshme, ditën e diel të shenjtërimit të Nënë Terezës, në një lokal në Romë ku qëndruam për pak çaste i cili menaxhohej nga disa shqiptarë që jetonin atje, një moment një nga televizionet italiane po jepte lajm kryesor pikërisht shenjtërimin e Nënë Terezës dhe një nga kamarierët që ishte shqiptar, tha: Jemi vend i vogël për të nxjerrë kaq figura të mëdha në botë, por çe do, jemi vend migrator. Vërtet përcjell një krenari për një sukses, për një arritje kaq të madhe, por edhe një trishtim që ende shqiptarët duhet ta gjejnë veten apo e gjejnë më lehtë veten jashtë sesa në vendin e tyre. Kjo kërkon që ne të përqendrohemi më shumë tek mundësitë, resurset që ka vendi për ti vënë ato në lëvizje më shpejt. Sepse është një vend ku 26 vjet kemi filluar një proces të ri kundër izolimit, një vend ku turizmi është një nga potencialet kryesore dhe mundësitë më të mira për zhvillimin e vendit dhe për të përmirësuar mirëqenien për shqiptarët. Por ende pas 26 vjetësh nuk kemi një marinë edhe pse kemi gati 400 km bregdet ku dikush mund të ndalojë, mund të kryejë një shërbim, mund të qëndrojë për disa orë, e kështu me radhë. Nëse do të merremi me çështje të tilla që janë shumë konkrete, shumë domethënëse, por dhe që çlirojnë mundësi shumë të mëdha për zhvillim, padyshim që shqiptarët gjithnjë e më shumë do të jenë shumë më optimistë për të ardhmen e vendit tonë. Dhe shumë prej atyre që punojnë në vendet e tjera dhe në shërbime dhe fusha të tjera, punë relativisht të vështira, do të ktheheshin në vendin e tyre me shumë kënaqësi.

Zoti Meta, si parti e tretë dhe si parti e dytë në qeverisje këto vitet e fundit ja keni dalë të keni elementë të qarta qeveri-formuese. E kënaq ky pozicion LSI?

Duhet të jemi të vërtetë. LSI ka kaluar sfida të pamerituara, jo thjesht për LSI, por për vetë sistemin demokratik në vend dhe natyrisht sfida të tjera kanë kaluar dhe forca të tjera politike. Një pjesë e të cilave nuk ekzistojnë sot, janë shkrirë për shkak të sistemit zgjedhor, të deformimit të tij. Nuk duhet të harrojmë që LSI që në momentin e krijimit, 8 muaj pas themelimit të saj, arriti të merrte 120 mijë vota. Dhe në qoftë se zgjedhjet do të kishin qenë vërtetë të ndershme dhe nuk do të ishte bërë ai “mega dushku” i tmerrshëm, LSI nuk do të kishte marrë 5 deputetë në zgjedhjet e para, por LSI do të kishte marrë të paktën 12 deputetë dhe do të ishte një tjetër histori. Jo vetëm kaq, por dhe e majta mund të kishte qëndruar në pushtet apo në mazhorancë.

Ju thoni me fjalë të tjera që megjithë goditjet e herë pas hershme të sistemit apo politikës, LSI ja doli të rritet këtu ku është sot.

Patjetër. Unë mendoj që nuk është thjesht çështje LSI-je. Shqiptarët kanë dëshirë të kenë më shumë zgjedhje, LSI ka bërë diferencat e saj në qëndrime të caktuara. Mendoj që diferenca kryesore që bën LSI është mesazhi pozitiv që ajo përcjell. Së dyti ndjenja e përgjegjësisë, sidomos për sfidën më madhore që ka vendi, atë të integrimit europian.Nuk mund të gjejmë dot një arsye dhe një moment që vendi të ketë humbur qoftë një minutë të vetme në këtë proces për shkak të qëndrimeve të LSI. Në këtë plan, unë besoj që ky mesazh pozitiv dhe i përgjegjshëm që LSI sjell është një mesazh që qytetarët e duan, ata duan të orientohen drejt zgjidhjes, jo drejt retorikës demonizuese e cila krijon më shumë tym, por pas një kohe të caktuar na bën të kuptojmë që kemi humbur energjinë e duhur për të zgjidhur shumë gjëra konkrete që do ti kishin bërë shumë mirë edhe vendit, edhe qytetarëve tonë.

Zoti Meta, jeni në koalicionin e duhur për zgjedhjet e 2017 apo ka kohë për tu menduar?

Besoj që LSI ka marrë gjithmonë vendimet e duhura dhe vendimi i saj për këtë koalicion mendoj se ka qenë i drejtë dhe shumë luajal edhe në raport me PD. LSI zgjodhi të kalojë në opozitë para zgjedhjeve, natyrisht kalimi në opozitë mund të kishte efekte të tjera. Pra LSI mund të mbetej në opozitë dhe kjo do të ishte fare normale, sepse në demokraci duhet të respektohet çdo vendim i qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim, LSI i ka qëndruar marrëveshjes së Shkodrës dhe i qëndron me shumë korrektesë.

Një mesazh për të gjithë anëtarët e LSI. Janë rritur bashkë me ju në këtë parti.

Mesazhi im për të gjithë ata është që të mos harrojnë asnjëherë se LSI është një forcë politike pozitive dhe pozitiviteti vjen nga angazhimi i LSI për t’iu përgjigjur aspiratave të qytetarëve, të komunitetit dhe në mënyrë të veçantë të rinjve për ndryshime më të shpejta dhe më të qëndrueshme në vend. Dhe tjetra është që LSI nuk është një parti e imunizuar me fenomenet negative që e karakterizojnë dhe politikën shqiptare, aq më tepër një forcë që është në qeverisje. Dhe absolutisht që ruajtja e integritetit të LSI është një detyrë parësore e çdo anëtari dhe simpatizanti të LSI dhe në mënyrë të veçantë e më të rinjve. Unë besoj që në të ardhmen LSI do të jetë si LRI sot, që do të thotë se LSI do të jetë një forcë që rrezaton një solidaritet shumë herë më të fuqishëm në të gjithë vendin, jo në interes thjesht të LSI, por në interes të një politike premtuese në kuptimin e angazhimeve dhe të përmbushjes së detyrimeve saj ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ka hyrë në një vit zgjedhor LSI dhe të gjitha partitë. Për shkak të angazhimeve në parti u tërhoq dhe zoti Haxhinasto nga qeverisja. Shkurtimisht, çfarë organizimi do të ketë LSI tani që detyroi dhe Ministrin Haxhinasto të tërhiqet nga Qeveria?

LSI është në një moment reflektues, është në një proces të zgjedhjeve të saj dhe të Kongresit të saj apo të Konventës zgjedhore. Do i duhet të rishikojë programin e saj politik, të rishikojë dhe të fillojë të punojë dhe për programin e ardhshëm elektoral. Natyrisht në këtë drejtim zoti Haxhinasto dhe për shkak të eksperiencave të tij, jo vetëm të fundit por edhe të mëparshme në qeveri, mund të japë kontribute të veçanta sëbashku dhe me shumë kolegë të tjerë. Por kërkohet një ndarje forcash dhe natyrisht edhe këndvështrime të ndryshme për të arritur produktet me të mira.

Foto arkiv