Transmetuar më 07-04-2016, 22:14

Kryeministri Edi Rama lutet që kandidati republikan për president të SHBA-vë, Donlad Trump, të mos zgjidhet në këtë post. “Mos e dashtë Zoti që amerikanët ta zgjedhin Trump për president sepse do të ishte një president që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike mes shqiptarëve dhe amerikanëve.

“Donald Trump është kërcënim për SHBA dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, – nënvizon z.Rama.

Rama: Jam si Jose Mourinho, kam gjithmonë të drejtë

Kryeministri Edi Rama thotë se ka raport të mirë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, gjëja kryesore që i ndanë që të dy, është mospranimi i Kosovës, si shtet i pavarur nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, në një intervistë për mediat në Kosovë ka thënë se gjatë karrierës së tij politike e ka kuptuar se nuk mund të bëhet progres pa dialog dhe thotë se me kryeministrin serb, marrëdhënien e ka normale.

“Është një raport i shëndetshëm, është i barabartë edhe pse ka gjëra të mëdha që na ndajnë, mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Nga ajo që më ka mësuar jeta politike është se mungesa e komunikimit hap hendeqe të mëdha. Marrëdhëniet janë normale, është thyer një tabu”, ka thënë shefi i qeverisë shqiptare.

Duke folur për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i Kosovës, ai ka thënë se Thaçi është pjesë e një kategorie të presidentëve që luajnë rol të rëndësishëm.

“Hashimi hynë tek një kategori e veçantë e presidentëve që mund të luajë një rol të rëndësishëm, nuk është ai i atillë që është aty vetëm për të ngrohur karrigen”, ka thënë Rama.

Një tjetër çështje që ka folur Rama, ishte dhe refuzimi për armët kimike. Me batutë Rama e ka krahasuar veten me Jose Mourinho:  “Jam si Mourinho, kam gjithmonë të drejtë”. /f.g/noa.al/