Transmetuar më 16-12-2015, 10:09

Tiranë, 16 dhjetor 2015, NOA.al- Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim dosjen e “Babagjyshëve”, ndaj njëmbëdhjetë personave të akuzuar për 13 grabitje.

Organi i akuzës ka përfunduar hetimin dhe dërgon për gjykim të pandehurit, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të njohur si “Babagjyshët”, të akuzuar për “vjedhje me armë”, “plagosje të rëndë”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kryerje të veprave penale në kuadër të grupit kriminal".

Në bazë të hetimit, Prokuroria ka ngritur akuza për këtë grup personash për 13 episode kriminale, në mesin e tyre edhe të asaj të ndodhur në qendrën tregtare “TEG”, ku persona të maskuar si babagjyshë grabitën me armë një argjendari.

Hetimi për këtë grup kriminal nisi në Prokurorinë për Krime të Rënda, në bazë të disa referimeve të Policisë së Shtetit, pas disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në vitin 2013 dhe 2014 në Tiranë, Durrës, Laç, Fushë-Krujë dhe Kuçovë.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda akuzon për pjesëmarrje aktive në këtë grup të strukturuar kriminal të pandehurit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian (Enea) Qerrushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi, Hajdar Sefa, Lin Kala, Edmond Selala dhe Angjelin Ndreka.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në vjedhjet e këtij grupi kriminal ka disa elementë të përbashkët në mekanizmin e kryerjes, si:

-Përdorimi për lëvizje i mjeteve të vjedhura, kryesisht në zonën e Milotit gjatë momentit që drejtuesit e tyre kanë ndaluar për pushim dhe çelësat ndodhen në mjet ;

-Mjetin e fshehin, duke i ndërruar targat në disa raste dhe në disa të tjera kanë përdorur po targat origjinale. Kopjojnë targat e një mjeti tjetër të ngjashëm me atë të vjedhur.

-Djegie e mjetit që kanë përdorur për të lëvizur gjatë dhe pas vjedhjes, si edhe largimi me mjete të tjera motorike.

-Mënyra e realizimit të vjedhjes, ku njëri prej autorëve qëndron tek dera e objektit që po kryhet vjedhja si roje nëse do të afrohej policia. Ky person është i gjatë dhe mban gjithmonë automatik në dorë.

-Përdorimi i maskave, dorezave ose dhe veshje me mbishkrimin policia

-Ndarja e roleve gjatë realizimit të vejdhjes ; dikush do të vjedh mjetin, dikush do të gjej armët, veshjet apo do të kryhej vjedhjen

-Personat që kanë realizuar vjedhjet kanë karakteristika fizike të përbashkëta.

-Objektet e vjedhura janë kryesisht argjendari 

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda i akuzon personat e mësipërm për këto ngjarje:

– Më 11.01.2013, rreth orës 18.00, është kryer vjedhja e mbetur në tentative me armë, në bashkëpunim, i një argjendarie pranë stacionit të trenit, Durrës, pronë e shtetasit A.F. Në këtë vjedhje të mbetur në tentativë kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Agustin Sula dhe Saimir Kala.

-Më datë 28.09.2013, rreth orës 19.10 është vjedhur me armë në bashkëpunim, dyqanin argjendari, në pronësi të shtetasit A.B., ndodhur në lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë.

Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetrin dhe Hajdar Sefa, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

-Më datë 25.10.2013 rreth orës 13.20 është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur i firmën agroushqimore “A.T.A..”, ndodhur në Vorë, ku kanë marrë shumën prej 1000 dollarë arkëtares së kësaj firme. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë Ilir Kupa, Agustin Sula dhe Julian Qerushi.

-Më datën 05.11.2013, rreth orës 14.30, është vjedhur me armë, në bashkëpunim, argjendaria në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë vjedhjes është plagosur pronari i saj, ndodhur në qendër të qytetit Laç. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Hajdar Sefa, Agustin Sula dhe Fatmir Pjetri, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

-Më datë 25.11.2013, rreth orës 13.45, është vjedhur nga tre persona të armatosur “Argjendari Gj….”, në vendin e quajtur tek tregu i qytetit Fushë-Krujë, në pronësi të shtetases P. B., ku janë vjedhur një sasi bizhuterish, si edhe një sasi rreth 500.000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

-Më datë 24.12.2013, rreth orës 17.30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim Argjendaria “G….”, ndodhur në qendrën tregtare “TEG”, në fshatin Lundër, Tiranë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri dhe Julian Qerushi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. Autorët e kanë realizuar këtë vjedhje, të veshur si babagjyshë të festës së Vitit të Ri.

-Më 28 shkurt 2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i pikës së shitjeve të makinave Mercedes Benz, ndodhur ne autostradën Tiranë Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit, ku kanë marrë shumën prej 100 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula dhe Edmond Selala.

-Më datën 14.04.2014, rreth orës 10. 36, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga katër persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i kompleksit të shërbimeve A.M.L, ndodhur në Rrugën “Konferenca e Pezës”, Tiranë ku kanë marrë shumën prej 1 000 000 lekësh. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Agustin Sula dhe Mark Shpendi.

– Më dt. 22.04.2014, rreth orës 09:30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur që kanë lëvizur me motor, i argjendarisë “AÇ”, ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, në pronësi të shtetasit A.Ç., ku kanë marrë shumën prej rreth 600 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

-Më dt. 03.06.2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, i pikës së skrapit në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, në pronësi të shtetasit R. Z., ku kanë marrë shumën prej 150 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

-Në datë 26.11.2014, rreth orës 17:30, është kryer vjedhja e banesës së shtetasit K.G., ndodhur në fshatin Kallmet, Lezhë, ku kanë marrë shumat prej 1000 000 lekë dhe 5000 USD. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit nën hetim Agustin Sula, Angjelin Ndreka dhe Lin Kala. Gjatë vjedhjes, i dëmtuari ka qenë në banesën e tij së bashku me nënën dhe bashkëshorten.

Krahas vjedhjeve të mësipërme, të kryera në Shqipëri, grupi ka realizuar edhe dy vjedhje në Maqedoni:

-Në datë 30.04.2014 është vjedhur argjendaria në pronësi të shtetasit R.H, ndodhur në Strugë, ku është marrë një sasi prej 5.5 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi ose i quajtur Artur Tafani, Mark Shpendi dhe Dritan Kola. Këtë vjedhje, autorët e kanë realizuar të veshur si femra. Gjatë -Në datë 29.07.2014 është vjedhur një argjendari, ndodhur në Dibër të Madhe, ku gjatë vjedhjes, autorët kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhjeje, shtetasi Miljan Elezi (alias Artur Tafani). Në këtë vjedhje është marrë një sasi prej 12 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi (alias Artur Tafani), Saimir Kala dhe Dritan Kola.

Në çdo rast, krahas personave që kanë marrë pjesë aktive në vjedhje, bashkëpunëtorët e tyre kanë kryer veprime konkrete në funksion të aktivitetit kriminal, si sigurimin armëve dhe automjeteve për realizimin e veprës penale.

Për sa më sipër, rezulton plotësisht e provuar se personat nën hetim Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian (Enea) Qerrushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi dhe Hajdar Sefa dhe Artur Tafani, kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim vjedhjen e pasurive të shtetasve dhe bizneseve, si edhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë kryer veprat penale të “Vjedhjes me armë”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje, “Grupit të strukturuar kriminal”dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./a.y/noa.al “Banda e babagjyshëve”, kapen dy persona në kërkim Kapet një tjetër “babagjysh”, grabiti në TEG dhe firmën Mercedez Benz në Tiranë Arrestohen 3 të rinj, dyshohen si “babagjyshët” e grabitjes në TEG Tiranë, arrestohet një prej anëtarëve të ‘bandës së babagjyshave’ Ilir Kupa: Nuk jam unë babagjyshi i TEG-ut

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]