Transmetuar më 27-07-2015, 11:43

Adoleshenti Ismail Luli që u gjet i masakruar deri në vdekje pranë një kishe në Itali, ishte futur në kurth përmes një mesazhi nga Ambra, e dashura e të dyshuarit Igli Meta.

Mediat italiane që i referohen hetimeve të policisë dhe prokurorisë, zbardhën sot mesazhin.

“Dua të të takoj, eja”. Kështu ka shkruar Ambra duke nxitur Ismailin që të rendë për ta takuar.

Mesazhi i 19 vjeçares maqedonase Ambra, dyshohet se u shkrua prej saj, duke iu bindur urdhrit të të fejuarit.

Dhe Ismaili pranoi.

Vajza e cila është në qendër të polemikave për shkak se deklaroi se dashuronte ende të fejuarin e saj pavarësisht vrasjes së kryer, aktualisht është nën hetim.

Ndërsa policisë i ka thënë se nuk e dinte se Igli Meta kishte vendosur të vriste 17 vjeçarin.

Ndërkohë 19 vjeçarja dhe familja e saj nuk jetojnë më në Lunano, në fshatin rreth 10 kilometra larg vendit të krimit.

Turpi, e njëjta ndjenjë që detyroi dajën e Iglit të vriste veten, ka bërë që dhe babai i vajzës të largohet nga zona. Madje miq të tij shprehen se është pushuar nga puna.

Hetuesit italianë janë gjithnjë e më të bindur se arsyeja e vrasjes është dyshimi për tradhti dhe ndoshta nuk ishte fantazia e vrasësit.

Ambra dhe Ismaili kishin dalë bashkë, dhe ka qenë vajza që ia ka pranuar të fejuarit këtë duke bërë që tek ai të ndizej zemërimi.