Transmetuar më 25-07-2015, 21:07

Shqipëria nuk do të përdorë të drejtën e vetos për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, për shkak se ajo nuk ka zbatuar marrëveshjen e Ohrit. Por ajo është e detyruar ta zbatojë këtë marrëveshje, nëse dëshiron të jetë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Deklarata është bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili shihet kështu të tërhiqet nga deklarimi i mëhershëm se “Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe vendi fqinjë të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit”.

Në intervistën për televizionin maqedonas Telma në Shkup, z.Rama foli lidhur me këtë çështje, pasi u pyet nëse do të kishte veto nga Shqipëria.

“Jo, nëse i referoheni dokumentit të fundit në Samitin e Uellsit, ai është një dokument ku të gjitha vendet anëtare të NATO-s u pajtuan dhe nënvizuan nevojën që Maqedonia ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit si bazë për bashkëjetesë dhe harmoni në paqe e bashkëpunim midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Dhe sigurisht si bazë për forcimin e Maqedonisë, të jetë më e qëndrueshme dhe më prosperuese. Ne absolutisht jemi të interesuar që Maqedoninë ta shohim më të fuqishme dhe besojmë se është e një rëndësie strategjike për rajonin dhe sigurisht për Shqipërinë që të kemi një Maqedoni të integruar dhe të qëndrueshme”.

Kryeministri u pyet edhe për ngjarjet në Kumanovë. Gazetarja Sava Vasiç foli për një hetim ndërkombëtar të kërkuar prej tij, por kreu i qeverisë shqiptare thotë se kjo ngjarje ka nevojë për një hetim të pavarur dhe transparent, për të mirën e Maqedonisë dhe gjithë rajonit.

“Mendoj se me siguri një hetim transparent dhe i pavarur do të jetë një ndihmesë e madhe për të gjithë. Do të jetë kontribut i rëndësishëm edhe për atë që e folëm më herët, për një Maqedoni progresive dhe të qëndrueshme, si shembull ku marrëdhëniet ndëretnike nuk janë problem, por përkundrazi janë një potencial i veçantë për përparim të shoqërisë dhe vendit”.

Foto: Edi Rama. Marrë nga faqja e tij zyrtare në Facebook