Transmetuar më 24-07-2015, 13:53

“Jam lodhur duke u fshehur. Dua ti bëj të ditur Iglit tim se do e pres gjithë jetën dhe se do e dua gjithmonë”. Kështu thotë në dy intervista të ndryshme për “Corriere della Sera” dhe “Repubblica”, Ambera Saliji, e dashura e Igli Meta, i riu shqiptar që theri nga xhelozia Ismail Lulin, me ndihmën e Marjo Memës, në Sant’Angelo të Vado, provincë e Pesaro në Itali.

“Më telefonoi menjëherë për të më lajmëruar. Nuk arrija ta besoja, nuk është një gjë që pritej prej tij”, thotë e reja, shqiptare e Maqedonisë.

Ambera pranon se nuk e justifikon të dashurin, por shton se ai nuk donte t’a vriste Ismailin.

“Mund të më quajnë të çmendur pasi po tentoj ta kuptoj, por unë e dua. E njoh prej katër vitesh e gjysmë, është një djalë i ëmbël dhe aspak i dhunshëm”, shprehet më tej Ambera.

Ajo është e acaruar me gazetarët, të cilët sipas saj i përshkruajnë ngjarjet në mënyrë imagjinare.

“Unë nuk jam e pacipë, nuk kam bërë asgjë të keqe. Jam tërhequr mbas dhe nuk kam shkaktuar xhelozi, por vrasja ndodhi prej një arsye të tillë. Nuk e kam tradhtuar kurrë Iglin, nuk do mundja kurrë. E dua, është mashkulli im. Unë nuk kisha interes për Ismailin, por ai tentonte vazhdimisht ndaj meje. Kam lexuar gjithçka, që Igli kishte borxhe ndaj Ismailit, që ishin grindur për drogë etj.,…janë të gjitha gënjeshtra”, thotë e reja.

Viktima Luli u përcoll sot në banesën e fundit i shoqërur me duartrokitje dhe tullumbace të bardha të lëshuara në qiell, në ceremoninë funebre të zhvilluar në varrezat në Sant’Angelo në Vado./a.y/noa.al/