Transmetuar më 21-07-2015, 14:51

Një i ri shqiptar është vrarë në Itali. Ismail Luli është gjetur i therur me thikë në pyllin e Sant’Angelo në Vado, provincë e Pesaro.

Si të dyshuar për krimin janë dy të rinj shqiptarë, miq të viktimës me moshë 20 dhe 21 vjeçare, të cilët janë arrestuar.

Viktima Ismail Luli 17 vjeç, u gjet i therur në një përrua pranë një kishe në San Martino, nga kalimtarë të rastit.

Dyshimet mbi dy të rinjtë që mendohet të kenë kryer krimin, ranë nga tabulatet telefonike të celularit të 17 vjeçarit të vrarë.

Ismaili kishte humbur gjurmët qysh prej pasdites së të dielës ku i kishte shkruar një mesazh familjes, “Ndryshoj jetë, do shkoj në Milano, mos më kërkoni”.

Nga ana e policisë dyshohet se mesazhi mund të jetë shkruar nga vrasësit e tij. Nga hetimet paraprake thuhet se krahas dy të rinjve të identifikuar, në krim mund të jenë përfshirë persona të tjerë, për shkak të shenjave të tërheqjes së trupit, ku më tej viktima është hedhur në përrua.

Dyshimet paraprake janë se vrasja e të riut ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës dhe prej konflikteve për një vajzë. Në trupin e viktimës janë gjetur gjurmë ngjitësi adeziv, njësoj sikur kanë tentuar ta lidhur.

Gjithashtu në trupin e 17 vjeçarit janë gjetur edhe shenja të tjera dhune, çka kanë krijuar dyshime te hetuesit se Luli mund të jetë dhunuar para therjes me thikë./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]