Transmetuar më 15-07-2015, 10:09

Arrihet marrëveshja midis liderëve të katër partive kryesore në Maqedoni pas negociatave maratonike në rezidencën e BE-së në Shkup.

Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn pas përfundimit të negociatave të mundshme doli dhe kumtoi lajmin për arritjen e marrëveshjes dhe se sipas tij palët janë dakorduar se do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Kemi marrëveshje, është nënshkruar nga liderët. Jam i kënaqur nga ajo që është arritur dhe me këtë po i hapen vendit dyert për në BE dhe NATO”, deklaroi eurokomisioneri Hahn, pas largimit nga negociatat që u zhvilluan me katër liderët: Nikola Gruevskin e VMRO-DPMNE, Zoran Zaevin e LSDM, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së.

Ai ka thënë se ka biseduar edhe me ndihmës sekretaren amerikan Victoria Nuland, të cilën e ka informuar për arritjen e marrëveshjes.

Eurodeputeti Richard Howitt në profilin e tij në Twitter ka shkruar se është arritur marrëveshje për kthimin e opozitës në Parlament, formimin e qeverisë së re kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Howitt ishte i shoqëruar edhe nga dy eurodeputetët e tjerë Ivo Vajgl dhe Eduard Kukan.

Por nga ana tjetër nuk është saktësuar se kur do të mbahen zgjedhjet e reja.

Jozyrtarisht mësohet se kryeministri Nikola Gruevski do të largohet nga detyra e kryeministrit pak para fundit të vitit duke i hapur rrugë qeverisë së tranzicionit e cila do të përgatisë zgjedhjet e reja.

Disa media në Shkup kanë kalkuluar edhe me të dhëna të tjera duke evidentuar se posti i kryeministrit do të merret nga një kandidat që do të zgjidhet me kompromis nga gjitha partitë, posti i MPB-së do t’i takojë opozitës maqedonase, ndërsa ministritë e tjera do të ndahen nga katër partitë.

Ja marrëveshja e arritur midis liderëve në Maqedoni

Liderët e katër partive politike në Maqedoni me ndërmjetësimin e eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn janë marrë vesh që:

Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM të kthehet në Parlament më 1 shtator;

Qeveria aktuale të tërhiqet 3 muaj para zgjedhjeve apo deri në fund të 15 dhjetorit 2015;

Qeveria e përkohshme apo kalimtare të formohet deri më 15 janar 2016;

VMRO-DPMNE nominon kandidatin për kryeministër (deri 15 janar 2016), por në konsulta edhe tri partitë e tjera LSDM, BDI dhe PDSH;

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 24 prill 2016;

LSDM do të nominojë kandidatin për ministër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por siç thuhet në konsultime edhe me LSDM dhe BDI;

Ndarja e ministrive tjera do të jetë midis partive kryesore, ndërsa edhe zëvendësministrat do të kenë të drejtën e qasjes dhe vetos në gjitha ministritë për çështjet e lidhura me zgjedhjet;

LSDM zëvendësministra do të ketë në ministrinë e financave, bujqësisë dhe shoqërisë informatike dhe administratës.

Prokurori i ri Special do të duhet të zgjidhet deri më 15 shtator 2015, që do të udhëheq hetimet për përgjimet dhe do të zgjidhjet sipas marrëveshjes midis katër partive politike.

Nga kthimi i opozitës në Parlament do të nis miratimi i pakos së reformave për zgjedhjet dhe reformat e tjera, por edhe rekomandimet speciale nga raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Rajnhard Pribe.