Transmetuar më 20-06-2015, 18:37

Përfaqësuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Eduard Kukan, duke folur mbi zhvillimet në rajon, z.Kukan tha sot se e konsideron të ngatërruar dhe potencialisht të rrezikshme” situatën në Maqedoni. Ndaj, këshilla e tij për Tiranën zyrtare ka qenë që të veprojë në mënyrë të kujdesshme. “Unë mendoj se politikanët shqiptarë e kuptojnë ndjeshmërinë e situatës dhe "me kujdes" është fjala e duhur për mënyrën sesi ata duhet të sillen”, tha Kukan në një intervistë sot për Top Channel nga Brukseli.

Z.Kukan u pyet lidhur me zhvillimet pas ngjarjeve në Kumanovë, pasi ai është një prej eurodeputetëve të përfshirë në negociatat me Maqedoninë. Ai dha mendimin e tij si e gjykon ecurinë e këtij procesi deri tani? Gjithashtu z.Kukan flet edhe nëse pret një dorëheqje të kryeministrit Gruevski brenda muajit, apo përsëritje trazirash në një skenar më të keq? “Situata në Maqedoni është mjaft e ngatërruar dhe potencialisht e rrezikshme dhe këtë duhet ta mbajmë parasysh kur merremi me vendin. Ju i keni parë institucionet europiane, Parlamentin e Komisionin, komisioneri Hahn dhe 3 eurodeputetë janë duke u marrë me këtë duke lehtësuar dhe ndërmjetësuar kontaktet dhe negociatat mes dy palëve kryesore, apo mes katër partive kryesore politike, sipas marrëveshjes së pajtuar më 2 qershor. Nuk mund të bëj ndonjë parashikim mbi këtë situatë, sepse siç e patë në takimin e fundit, pas  Shkupit, nuk pati asnjë rezultat. Kështu që jemi kthyer sërish tek marrëveshja e 2 qershorit, që angazhon përmes firmosjes së bërë liderët politikë me disa përgjegjësi. Kjo marrëveshje është e gjallë dhe e vlefshme. Tani po konsiderohet një proces nga institucionet europiane sesi të trajtohet më tej kjo situatë e vështirë, kështu që le të presim”.

Por a ka ndonjë këshillë ndaj Tiranës, apo vërejtje ndaj diplomacisë shqiptare për sjelljen ndaj Maqedonisë? Z.Eduard Kukan thotë: “Unë mendoj se politikanët shqiptarë e kuptojnë ndjeshmërinë e situatës dhe "me kujdes" është fjala e duhur për mënyrën sesi ata duhet të sillen”.