Transmetuar më 20-12-2014, 13:27

Përditësuar, 20 Dhjetor 2014 – Ora: 18:36

Policia e Shtetit ka arrestuar sot edhe një tjetër person që akuzohet si i përfshirë në atë që u quajt banda e babagjyshave që grabiste qendra tregtare dhe argjendari në Shqipëri dhe Maqedoni.

Edmond Selala është arrestuar ditën e sotme dhe akuzohet si pjesëtar i organizatës kriminale.

Deri dje Policia e Shtetit nuk e kishte përfshirë këtë të ri në listën e personave që akuzohen për një seri grabitjesh të dhunshme.

Ishte Prokuroria për Krime të Rënda, ajo që konfirmoi sot pasdite për NOA.al, arrestimin edhe të Edmond Selala gjatë kësaj të shtune.

Burime zyrtare nga policia e Laçit, i konfirmuan agjencisë noa.al, se u arrestua shtetasi në kërkim Edmon Selala, 28 vjeç, banues në lagjen nr.2 Laç-Kurbin.

“Edmon Selala është shpallur në kërkim, me datë 19.12.2014, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, ka nisur procedimin penal, ku ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer vjedhje tek argjendaria tek TEG, Tiranë, argjendari në Kuçovë, Fushë Krujë, Dibër të Madhe, firmën Mercedez Benz në autostradën Tiranë-Durrës dhe vjedhje të tjera”.

Gjykata pritet të shqyrtojë të dielën masat e sigurisë, të kërkuara nga Prokuroria për Krime të Rënda për disa persona të tjerë, të cilët dyshohen si pjesëtarë të këtij grupi kriminal, sot është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për:

Agustin Sula

Julian (Enea) Qerrushi

Hajdar Sefa

Edmond Selala (ndaluar ditën e Shtunë, dt. 20.12.2014)

Ndërkohë, ditën e diel, pritet që Gjykata të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndër të tjerë, edhe për shtetasin Ilir Kupa, i cili aktualisht gjenden në burg.

Ditën e sotme Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 persona, të cilët bashkë me disa të tjerë, dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në vjedhje me armë, të njohur publikisht si grupi i “Babagjyshëve”.

“Babagjyshët” e grabitjes, gjykata vendos “arrest me burg”

Tiranë, 20 dhjetor 2014, NOA.al- Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për “babagjyshët” e grabitjes në qendrën tregtare TEG.

Julian Qerushi, Hajdar Sefa dhe Agustin Sula u lanë në burg në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura mesditën e sotme, të akuzuar për grabitjen me armë të ndodhur një vitë më parë.

Të sipërpërmendurit akuzohen për vjedhjen me armë të argjendarisë në TEG ku katër persona të veshur si babagjyshët e Vitit të Ri sulmuan dyqanin në qendrën tregtare gjatë një orari të mbipopulluar në 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjes. Ata mundën të largohen prej andej brenda pak minutash dhe për një vit të tërë i shpëtuan ndjekje policore.

Ndërkohë si pjesë e grupit “babagjyshëve” janë shpallur në kërkim edhe Fatmir Pjetri 28 vjeç, Dritan Kola, 36 vjeç dhe Saimir Kala 31 vjeç.

Policia pas arrestimit të tre prej te dyshuarve, është shpehur se banda është përgjegjëse për nëntë grabitje, shtatë prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë.

Banda e “babagjyshëve” drejtohej nga Ilir Kupa nga Fushë Kruja, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, i cili është arrestuar rreth një vitmë parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg. Kupa ka mohuar vazhdimisht pjesëmarrjen e tij në bandën e “babagjyshëve”./a.y/noa.al/

Arrestohen 3 të rinj, dyshohen si “babagjyshët” e grabitjes në TEG

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]