Transmetuar më 29-06-2014, 05:45

Tirana, edhe pse ilegalisht, ofron seks për të gjithë. Nga 2-mijëlekëshet e gropës pas Operës deri te vajzat 500-euroshe të hoteleve luksoze

Nga Thimi Samarxhiu A ka Tirana një “Rrugë me drita të kuqe”, na pyeti përpara disa kohësh një miku ynë italian? Të ndodhur në vështirësi, nuk dinim t’i kthenim një përgjigje të saktë, nëse ka apo jo një rrugë të tillë të mirëfilltë. Menjëherë sollëm ndërmend rrugët simotra që ndodhen në Evropë, për në asnjë çast nuk gjetëm asgjë të përbashkët mes tyre dhe rrugëve të ndotura të Tiranës. Sillnim ndërmend të ashtuquajturat “Kanilat e kuq”, të cilat deri në kohën e luftës ishin të shumta në Tiranë. Shtëpi luksoze, të cilat në derën e tyre mbanin një dritë të kuqe, ku dhe nga morën emrin “Kanilat e kuq”. Mjaft të moshuar kanë treguar në lidhje me një shtëpi të tillë që ndodhej në “Rrugën e Kavajës”, ku punonjëset e seksit nuk ishin vetëm shqiptare, por edhe vajza të ardhura nga shtete të ndryshme. Harta e prostitucionit Kjo i takon historisë, sot “Dritat e kuqe” fshihen nëpër skuta rrugicash ose nëpër fasada motelesh, të cilëve u ka rënë suvaja. Kthehemi dhe një herë tek miku ynë dhe nisim t’i shpjegoi se Tirana realisht nuk ka një rrugë me “Drita të kuqe”, por ato janë shndërruar në rrugica të fshehta, ku punëtoret e seksit ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme. Shpeshherë ndodh që ato të arrestohen për shkak të profesionit të tyre, por menjëherë pas daljes nga qelia, ato i rikthehen punës. “Dritat e kuqe” të Tiranës kanë një përhapje të gjerë. Sipas policisë, pikat “e nxehta” fillojnë me të famshmen “Gropa e Hajdin Sejdisë”, për të vazhduar më pas me hotelet që ndodhen përgjatë Bulevardit Zogu i Parë dhe që përfundojnë tek Stacioni i Trenit. “Harta vazhdon të shtrihet pranë kryqëzimeve të “Zogut të Zi” dhe “21 Dhjetorit”, ku punonjëset e seksit shfrytëzojnë faktin se në këto akse kalojnë me qindra makina dhe qëndrojnë aty gjatë orëve të natës në kërkim të klientëve”, – thonë burime të policisë. Por harta e shtrihet më tej, deri në Liqenin Artificial, ku disa hotele në atë zonë shërbejnë si “shtëpi publike”, ku kundrejt pagesave që variojnë nga 1000 lekë e deri në disa qindra-mijëra lekë, ofrohet shërbimi i punëtoreve të seksit. Edhe hotelet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës janë shndërruar në vendstrehimin e punëtoreve të seksit. Vetëm pak javë më parë, në një prej shumë hoteleve të kësaj zone, u arrestuan katër persona, të cilët sipas policisë, “shfrytëzonin si prostitutë një minorene”, e cila për disa muaj, shuante epshet seksuale të një sërë klientësh, të cilët paguanin shuma deri në 5000 lekë për një “shërbim” të tillë. Periferia e Tiranës duket se ka dhe numërim më të madh të hoteleve, moteleve pse shtëpive të cilat ofrojnë punëtoret e seksit. Një tjetër zonë mjaft e frekuentuar është dhe Vaqari, ku një sërë motelesh në atë zonë prej kohësh, kundrejt pagesës, të ofrojnë dhe shoqërinë në dhomë, në rast se dikush nuk shkon i shoqëruar. E njëjta situatë është dhe në zonën tjetër periferike të Tiranës, atë të Saukut. Klasi i lartë Por Tirana, përpos rrugicave dhe moteleve me “Drita të kuqe”, ofron dhe punëtoret e seksit të klasit të lartë. Ato nuk janë njësoj si të gjitha punëtoret e tjera. Hijeshia, eleganca, klasi dhe bukuria e tyre nuk mund të ekspozohen nëpër rrugica të ndotura. Këto vajza, çmimi i të cilave është disa herë më i lart se i kolegeve të tyre, vizitojnë hotelet luksoze të kryeqytetit, ku klientët e tyre VIP arrijnë të paguajnë shifra që shkojnë deri në 500 euro, vetëm për të qëndruar një natë me to. Një rast i ngjashëm është zbuluar disa ditë më parë nga Policia e Tiranës, e cila në kuadër të operacionit të koduar “Red Lights”, prangosi dy tutorë dhe tre vajza të cilat shfrytëzoheshin si punëtore seksi prej tyre. Besim Lami dhe Gentjan Buzi dyshohen se në bashkëpunim midis njëri-tjetrit, kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni për një periudhe 4-mujore në hotele të ndryshme në kryeqytet, 3 vajzat me iniciale G.M., 24 vjeçe, lindur në Korçë e banuese në Tiranë, O.C, 22 vjeçe, lindur në Skrapar e banuese në Tiranë, dhe F.Ll, 23 vjeçe, lindur dhe banuese në Krujë. Këto vajza, gjatë orëve të dy netëve më parë, janë arrestuar në një hotel luksoz në Tiranë, duke ushtruar prostitucion me klientë të ndryshëm kundrejt shumës që varionte nga 200 deri më 400 euro. Policia e Tiranës bëri të ditur se dy të arrestuarit, Lami dhe Buzi, për një periudhë 4 mujore kishin ndërtuar një rrjet të sofistikuar për shfrytëzimin e shumë femrave, ku pasi realizonin rekrutimin duke shfrytëzuar vështirësitë ekonomike dhe problemet familjare të tyre, i rekrutonin ato dhe më i pas i shfrytëzonin në hotele luksoze në Tiranë, duke i siguruar klientë të huaj dhe VIP. Por Tirana ka dhe raste ekstreme, kur edhe pse një hotel mund të jetë bllokuar disa herë nga policia për ushtrimin e këtij aktivitet, pas daljes nga burgu të pronarit, ai fillon sërish të njëjtën punë. Rast i ngjashëm është ai hotelit “B….” diku mes rrugicash pa dalje në “Rrugën e Kavajës”. Ky hotel është bllokuar së paku 5 herë nga policia dhe ka rifilluar punë po kaq herë, derisa tashmë është mbyllur përfundimisht. Ky hotel, për një kohë të gjatë ka shërbyer si një shtëpi publike, ku klientët më të rregullt ishin mosha e tretë, të cilët vinin aty çdo fillim muaji, pasi merrnin pensionin dhe paguanin 2000 lekë për të kryer marrëdhënie seksuale me një prej punëtoreve të seksit që ndodheshin në atë hotel. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë në pamje të parë duket tejet i shpërfillshëm përballë punëtoreve të seksit, të cilat në rrugicat e ndotura të këtij qyteti jetojnë çdo çast me frikën e arrestimit nga policia. Rrugicat, motelet dhe lulishtet janë aty, punëtoret e seksit janë bërë gati dhe kanë dalë në kërkim të klientëve të radhës, të cilët, të frikësuar si gjithnjë do t’i pëshpëritin: “Sa e ke pazarin?”. Harta Autostrada Tiranë-Durrës Liqeni Artificial “Stacioni i Trenit” Bulevardi “Zogu i Parë” Tek 15-katëshi “Gropa e Hajdin Sejdisë” Kryqëzimi i “21 dhjetorit” Kryqëzimi i “Zogut të Zi” Lulishtja e Sahatit Sauk Vaqarr