Transmetuar më 28-03-2012, 10:43

Tiranë, 28 mars 2012, NOA – Pas mëse 35 orësh në protestë në majë të pallatit dhjetëkatësh pranë “Unazës së Re” shtatë gratë kanë zbritur poshtë me ndihmën e Policisë së Tiranës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se shtatë gratë janë zbritur nga tarraca e pallatit në ndërtim rreth orës 19.00, të ditës së martë.

Gratë u bindën të zbritnin pas negociatave të bëra nga drejtuesit e Komisariatit të Policisë Nr.6, me familjarët.

Shtatë gratë ishin ngjitur në tarracën e pallatit në ndërtim të firmës “Pelivani”, në rrugën “Teodor Keko” në Tirane që prej mëngjesit të datës 26.03.2012.

Gratë hynë në protestë dhe kërcënuan se do të hidheshin për shkak se ndërtuesi i pallatit Namik Pelivani kishte shkelur kushtet e kontratës së nënshkruar disa vite më parë, ku ishte zotuar se truallin e blerë do t’ua kompensonte me apartamente të reja, dyqane e garazhe.

Por, sipas banorëve ndërtuesi i kishte gënjyer, andaj ata e paditën Pelivanin në Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë këtij aksioni u angazhuan me shërbim 50 punonjës policie dhe 6 oficerë përgjegjës.

mit/noa.al