Transmetuar më 02-03-2024, 14:09

Sapo kanë konstatuar praninë e policisë ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas janë larguar.

TIRANA- Dy persona janë arrestua pasi kanë tentuar të vjedhin një banesë në fshatin Prush të Tiranës më 09.12.2023. Sapo kanë konstatuar praninë e policisë ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas janë larguar. Autorët janë identifikuar si Klodjan Cypi dhe Kleotild Bardhi. Të ndaluarit janë gjithashtu autorë të dyshuar të një vjedhjes së një argjendarie në Kamëz, dhe të një vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e Kleotild Bardhit, një automjet, 8 aparate celulare dhe tre karta sim, dhe një pajisje GPS.

‘Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Blind". Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit:

– K. C., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vjedhja me armë", e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, "Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit", mbetur në tentativë, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit",

– K. B., 32 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasit F. T., i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vjedhja me armë", e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, "Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit", mbetur në tentativë, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit K. C., dhe F. T., më datë 09.12.2023, kanë tentuar të vjedhin në një banesë në fshatin Prush, dhe sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë hapur zjarr ndaj tyre, me armë, dhe janë larguar me një automjet tip "Audi", në pronësi të shtetasit K. B.

Gjithashtu, dyshohet se këta shtetas janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2023, ku është vjedhur një argjendari në Kamëz, dhe të vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e shtetasit K. B., një automjet, 8 aparate celulare dhe tre karta sim, dhe një pajisje GPS. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale’.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit